Ismaili: Kurti dhe Kusari-Lila të japin llogari, u dëshmua bashkëpunimi i fshehtë i LVV-së me LS-në

Ismaili ka deklaruar se përgjimet e telefonatave të Kusari-Lilës dhe Simiq paraqesin një provë konkrete, e cila dëshmon bashkëpunimin e fshehtë të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe. Gjersa e ka konsideruar të pafalshme atë që PDK-ja e quan njollosje të veteranëve të UÇK-së, Ismaili ka përsëritur kërkesën e subjektit politik të tij për zgjedhje të parakohshme

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, e ka cilësuar si “skandalin më të madh politik të pushtetit” audio-incizimet në mes të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq.

Në një konferencë për media, Ismaili ka deklaruar se përgjimet paraqesin një provë konkrete, e cila dëshmon bashkëpunimin e fshehtë të partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

“Dëshmohet qe ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur ne listën e zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se s’kanë as koalicion e as bashkëpunim. Dëshmohet edhe një herë mendësia e këtij pushteti, që kurdo në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi – siç është energjia në veri, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Milan Radojçiqin, ose me bekimin e tij”, theksoi Ismaili.

Ky i fundit ka kërkuar që kryeministri, Albin Kurti, dhe Kusari-Lila të japin llogari për deklaratat e tyre.

“Bashkëpunimi me një parti që përfaqëson qytetarët serbë në Kuvendin e Kosovës, në vete nuk është problem. Por, duke e mbajtur të fshehtë këtë bashkëpunim, e duke i gënjyer qytetarët se asnjëherë nuk kanë pasur bashkëpunim me ta, është një tjetër hipokrizi e pushtetit aktual. Kryeministri Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë. Tendenca për ta normalizuar koordinimin dhe komunikimin me Milan Radojçiq veçse e thellon dhe e bën bashkëpjesëmarrëse tërë Qeverinë në këtë skandal. Milan Radojçiq është një person i kërkuar nga Policia e Kosovës, si për Mimoza Kusarin, edhe për Albin Kurtin, dhe nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme e normale. Propaganda e shfajësimi nuk janë e vërteta. E vërteta është se biseda me Radojçiqin ka ndodhur, është pranuar nga Mimoza Kusari-Lila, dhe çdo gjë perpos llogaridhënies para qytetarëve dhe drejtësisë është tentim për të vazhduar fshehjen e së vërtetës”, tha ai.

Ismajli dhe PDK-ja në tërësi e konsiderojnë të pafalshme atë që ata e quajnë njollosje të veteranëve të UÇK-së. Ai ka ritheksuar kërkesën e PDK-së për zgjedhje të parakohshme.

Gjersa numëron problemet në arsim, shëndetësi, ekonomi dhe jo vetëm, Ismajli ka deklaruar se rrugëdalja e vetme nga stagnimi i prodhuar nga Qeveria Kurti janë vetëm zgjedhjet.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika