Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë sovranitetin në veri nuk kanë munguar sipas Dibran Istrefit nga RTV Dukagjini.
Por, ato përpjekje sipas tij kanë mundur të jenë edhe të gabuara.
Istrefi në Debat Plus, ka thënë se aktualisht në pjesën veriore të Kosovës, nuk ka policë serbë.
Po ashtu, ai e ka përmendur edhe mungesën e gjyqtarëve dhe prokurorëve në katër komunat serbe veriore, megjithë përpjekjet e KGJK-së për të transferuar prokurorë e gjyqtarë atje.
“Nuk po themi që nuk ka pasur përpjekje por përpjekjet kanë mundur të jenë të gabuara, sot në pjesën veriore të Kosovës, ka pak më shumë policë që kanë shku prej zonave të tjera, policë serbë pothuajse s’ka fare, sepse i kanë dorëzuar detyrat. Edhe gjyqtarë dhe prokurorë nuk ka, edhe për ta duhet me vendos KGJK dhe KPK, për me transferu prokurorë në veri për me mirëmbajtë, jo për ta kryer punën si duhet sepse nuk është rendi, por ta mirëmbajnë punën”, ka thënë ai.
Tutje Istrefi, ka thënë se është pyetje legjitime se pse nuk janë mbajtur zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, teksa ka shtuar se ato janë planifikuar të mbahen në prill të këtij viti, por që askush nuk mund të garantoj nëse do të mbahen apo jo.