Dibran Istrefi nga RTV Dukagjini ka deklaruar se nëse shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka komunikuar me Milan Radojiçiqin, i cili është në kërkim nga Kosova për vrasje dhe është në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së, duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.
Istrefi ka theksuar se Radojiçiqi është një bandit që ka kontrollin e plotë të Listës Serbe dhe veriut të Kosovës.
Sipas tij, këtë gjë Rajdoçiqi e ka bërë prej vitit 2008 dhe 2009.
“Edhe 1 minutë nëse ke fol me Radojiçiqin, duhet me u mbajt përgjegjës, sepse ai është në kërkim prej Kosovës për vrasje, është nën akuzë, nën ndjekje për vepër penale prej Prokurorisë Speciale të Kosovës. Është i ndjekur edhe për vepra penale të tjera si në rastin e Brezovicës”, ka deklaruar ai në Debat plus.
Po ashtu, ai ka thënë se ky është një shqetësim i madh dhe se përgjegjësia politike duhet të jetë mbi bisedën e Kusari-Lilës me Radojiçiqin.
Istrefi është shprehur se nuk dëshiron të sulmojë pushtetin aktual, por ka theksuar se Radojiçiqi ka kryer vepra penale dhe është në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.
“Pra, shqetësimi jem është ky, dhe përgjegjësia politike duhet të jetë mbi këtë, mbi bisedën me Milan Radojiçiqin, një njeri që është në listën e zezë, në fakt i sanksionuar nga Departamenti i Thesarit te SHBA-së”, ka thënë tutje Istrefi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatës fushatës së tij elektorale kishte deklaruar se nuk do të bashkëpunonte me Listën Serbe apo siç e quante ai “Lista çetnike”.Në lidhje me këtë Istrefi ka thënë se është e pa mundur që të mos bashkëpunohet me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.
“Në kuvendin e Kosovës nuk mundësh mos me bashkëpunu me Listën Serbe, e ke të pamundshme, ky është mesazh edhe për këta që janë në pushte sot edhe për ata që do të vijën nesër. E ki të pamundshme, pra rrjedhimisht kur thua në fushata zgjedhore se nuk bashkëpunon me këta i bie që në start je duke thënë të pavërtetën sepse e ki të pamundshme. I kemi një mori ligjesh që nuk kalojnë në Kuvendin e Kosovës, të cilat nuk kalojnë për shkak të Listës Serbe”.
Ndryshe, gazeta “Nacionale” kishte publikuar pjesën e parë të përgjimeve ku Kusari-Lila flet me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Aty, Kusari-Lila e konfirmon se ka komunikuar me Radojiçiqin. Megjithatë, Kusari-Lila kishte deklaruar se ka biseduar dy – tre minuta.
Slavko Simiq i thotë që “ti e dinë që të kam lidhur me Milanin, keni biseduar 30-40 minuta”. E Kusari-Lila nuk e mohon, por ia kthen duke i thënë “dy-tre minuta”.