Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka sfiduar narrativen e kryeministrit Albin Kurti për “drejtësi selektive dhe të pabarabartë”, duke theksuar se sistemi prokurorial dhe sistemi gjyqësor veprojnë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën, pa dallime sipas pozicionit apo emrit të personave të përfshirë.
Në një deklaratë të dhënë gjatë konferencës përmbyllëse të vitit, Isufaj bëri të ditur se aktualisht ka aktakuza të ngritura ndaj pesë ish-ministrave nga kabinete të mëparshme qeveritare, ndërsa nuk ka asnjë aktakuzë për ministrat aktual.
Në të njëjtën kohë, ai njoftoi se 17 kallëzime penale kundër ministrave aktual janë hedhur poshtë nga Prokuroria.
“Aktualisht kemi të ngritura aktakuza për 5 ish ministra të kabineteve tjera qeveritare. Nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual. I kemi të hedhura 17 kallëzime penale për ministrat aktual në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që ne nuk punojmë në mënyrë selektive. Ne punojmë vetëm në bazë të provave të ligjit dhe kushtetutës”, ka thënë Isufaj.
Kryeprokurori kritikoi deklaratat dhe sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë, duke i cilësuar si të dëmshme për integritetin dhe besimin e publikut në sundimin e ligjit.