Isufajt “s’i interesojnë fare” sulmet e Kurtit: Ligji i njëjtë për të gjithë, s’bëjmë dallime as për nga emri as për nga pozita

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka deklaruar se askush nuk është mbi ligjin dhe se të gjithë qytetarët, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë, kanë përgjegjësi ligjore për të bashkëpunuar me sistemin e drejtësisë.

Këto komente ai i bëri pas refuzimit të Kryeministrit Albin Kurti për t’iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, por edhe sulmeve që i bëri ndaj PSRK-së dhe kreut të këtij institucioni.

Kurti refuzon të shkojë në Prokurori: Qëllimi i tyre është të më bëjnë lajm ndërkombëtar

Gjatë konferencës përmbyllëse të vitit të Prokurorisë Speciale, Isufaj theksoi se thirrja për dhënien e dëshmisë është një procedurë e zakonshme dhe një obligim ligjor për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe për zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është një procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunoj me sistemin e drejtësisë. Prandaj, ju bëj thirrje gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe qeverinë, që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë”, ka thënë Isufaj.

Së fundmi, respektivisht të dielën, Kurti akuzoi kryeprokurorin Isufaj se po inskenon një situatë për ta kthyer intervistimin e tij në një lajm ndërkombëtar.

“Ky prokurori, Blerim Isufaj, është regjisori i një pamjeje ku unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri po intervistohet për një rast korrupsioni. Aty nuk thuhet që jam thirrur si dëshmitar. Ky është qëllimi i tyre”, ka dekalruar Kurti.

Ai shtoi se nuk i interesojnë komentet apo deklaratat e askujt, duke theksuar se i qëndron vetëm ligjit dhe parimeve që rregullojnë sistemin e drejtësisë.

“Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt, sepse fare nuk më interesojnë. Po flas për ato që di dhe që mendoj që duhet të bëhet”, ka thënë Isufaj.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se Kryeministrit i janë dërguar dy ftesa për intervistim si dëshmitar. Ndërkohë, kabineti i kryeministrit ka ritheksuar gatishmërinë e tij që prokurorët të mirëpriten në zyrën e tij për zhvillimin e intervistimit.

Isufaj mohoi çdo tendencë për politizimin e rastit, duke theksuar se puna e Prokurorisë Speciale është e përcaktuar me ligj dhe kushtetutë.

Ai ka shtuar se deklaratat denigruese dhe sulmet ndaj Prokurorisë dhe prokurorëve, jo vetëm që dëmtojnë integritetin e sistemit të drejtësisë, por cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit.

“PSRK-ja dhe në përgjithësi sistemi i prokuroria dhe gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë. Ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe kushtetutë. Dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emri. Me sinqeritet më të madh iu them se unë nuk kam informacione, nëse ndokush është intervistuar në zyrën e kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë, unë nuk di. Të pakën për këto 5 vite situatë të tilla nuk kemi pasur. Deklaratat denigruese dhe fyerjet ndaj prokurorëve dhe Prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin dhe sistemin e drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, ka shtuar Isufaj.

Shija e redaktorit

Memli Krasniqi: 2025 – Viti i drejtësisë, i fitoreve dhe...

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi, ka përcjellë një mesazh urimi për qytetarët e Kosovës me rastin e ndërrimit të motmoteve, duke...

Presidentja Osmani uron Vitin e Ri 2025: Kosovën ta shndërrojmë...

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri 2025 nëpërmjet një video mesazhi, ku ka potencuar rëndësinë e angazhimit që Kosova të...

Të fundit nga rubrika