Dërgimi i azilkërkuesve në Shqipëri, një shtet me korrupsion endemik në sistemin e vet të drejtësisë, me zbatim të dobët të ligjit dhe i njohur për praninë e grupeve të trafikimit, shton dyshimet lidhur me gjasat për respektimin e masave mbrojtëse. “Raporti i Trafikimit të Njerëzve për vitin 2022: Shqipëri” i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës thotë se Shqipëria “nuk arrin t’i përmbushë standardet minimale për eliminimin e trafikimit”. Popullatat e cenueshme — si njerëzit në lëvizje — që kalojnë nëpër Shqipëri mbeten në mënyrë disproporcionale të ekspozuara ndaj trafikimit, shfrytëzimit dhe punës së detyruar.
Rrjeti i Monitorimit të Dhunës Kufitare (RrMDhK), një grup organizatash jo-qeveritare (OJQ) që monitorojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në kufijtë e jashtëm të BE, ka regjistruar raste të shumta të personelit shqiptar dhe të Frontex (Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare) duke ushtruar dhunë ndaj njerëzve në lëvizje, që kanë qenë duke kaluar ilegalisht në Shqipëri. Në maj të vitit 2020, një grup prej tetë individësh nga Algjeria, Egjipti dhe Maroku u kërcënuan me armë nga autoritetet vendore dhe u shtynë të ktheheshin në Greqi. Njëri nga të intervistuarit nga grupi kujton se njëri nga policët e paralajmëroi: “Herën tjetër nëse vrapon, mund të gjuajmë me armë drejt jush; nëse të themi ‘ndal’, ti ndalesh”.
Histori të tjera të abuzimit dhe keqtrajtimit shpërfaqin praktikat e dhunshme të Policisë Kufitare dhe Migracionit Shqiptar, që përfshijnë rrahjen e njerëzve me shkopinj të metalit dhe konfiskimin e gjësendeve personale. Sipas dëshmive të regjistruara në vitin 2021, një burrë algjerian u kap gjatë një bastisjeje të policisë shqiptare në një hotel në Durrës, një vend strehimi jozyrtar, i njohur në mesin e njerëzve në lëvizje që kalojnë tranzit nëpër Shqipëri si vend i lirë për akomodim. “Kur po e rrihnin, ata thanë: ‘Jemi policia shqiptare, mirë, apo jo?’, dhe e rrahën, “ta merr mendja se policia shqiptare është e mirë, apo jo!?’ dhe vazhduan rrahjen”, kujton ai. Pas bastisjes ai dhe rreth 40 të tjerë janë transferuar në stacionin policor. Disa u liruan vetëm pasi kishin lënduar veten.
Në një tjetër keqtrajtim të regjistruar, një 19-vjeçar me paterica, për shkak të këmbës së thyer u shty prapa nga autoritetet kufitare shqiptare pavarësisht paaftësisë së tij. Dëshmi të ndryshme të mbledhura nga RrMDhK, referojnë vdekjen e tre burrave marokenë, që tentuan t’i kalonin malet shqiptare rreth shkurtit të vitit 2021. Autoritetet shqiptare ende nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë publike lidhur me këto vdekje.
Kjo dhunë e përhapur shtetërore ilustron dobësinë e strukturave shqiptare në trajtimin e njerëzve në lëvizje pa i privuar ata nga të drejtat e tyre themelore të njeriut. Prandaj, kontraktimi i infrastrukturës për kontrollim migracioni në një vend me histori të dobët të zbatimit të ligjit si Shqipëria, vë në rrezik jetën e azilkërkuesve.
Diplomacia e imigrimit dhe bartja e menaxhimit të imigrimit
Menaxhimi i migrimit është bërë pikë qendrore në bisedimet e anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në librin e tij të fundit “White Enclosures: Racial Capitalism and Coloniality Along the Balkan Route” (shq. Rrethojat e bardha: Kapitalizmi racor dhe kolonialiteti përgjatë rrugës ballkanike), studiuesi Piro Rexhepi shqyrton në mënyrë kritike ndërmarrjen në rritje të sigurisë kufitare së BE dhe prirjen për ngritjen e kampeve burgosëse për emigrantët përgjatë rrugës ballkanike. “Marrëveshjet e fundit të ‘ndërhyrjes së shpejtë kufitare’ me vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE, kanë kërkuar ta negociojnë lirinë e tyre të lëvizjes brenda BE, në kurriz të kontrollit të lëvizjes së emigrantëve përgjatë rrugës ballkanike”, argumenton Rexhepi.
Nën vëzhgimin e Frontex, Shqipëria pritet ta forcojë menaxhimin e kufirit dhe t’i luftojë në mënyrë aktive kalimet ilegale kufitare. Në vitin 2019, Shqipëria u bë vendi i parë jashtë BE që priti një operacion të përbashkët të Frontex në kufijtë e saj.
Ekziston një prirje shqetësuese botërore e ndalimit të imigrimit në det të hapur. Vendet perëndimore përdorin gjithnjë e më shumë eksternizimin e kufijve për t’i parandaluar njerëzit në lëvizje t’i arrijnë juridiksionet e tyre ligjore. Transferimi dhe ndalimi i azilkërkuesve nëpërmjet marrëveshjeve të vendeve të treta të sigurta është praktikë shqetësuese që rrezikon t’i bllokojë individët e vendosur në kampe mbajtjeje në harresë, pa status të përhershëm ligjor dhe në pamundësi për t’u kthyer në shtëpi.
Personat që ikin nga lufta ose nga mjediset e vështira ekonomike teksa marrin udhëtime të rrezikshme për të arritur në Evropë, nuk duhet të trajtohen si çështje të rregullimit administrativ. As politikanët si Rama nuk duhet ta pranojnë rolin e rojës kufitare të BE dhe nuk duhet t’i instrumentalizojnë azilkërkuesit për të fituar pikë tek komuniteti ndërkombëtar, edhe në qoftë se marrëveshja përfundimisht shpallet kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe ratifikohet në parlament. Linjat ajrore, qendrat e paraburgimit të imigrimit dhe kompanitë e tjera private, pjesë e industrisë së sigurisë kufitare duhet të ndalojnë së trajtuari njerëzit në lëvizje si mallra të tregtueshme për përfitimin e tyre. Si shtet nënshkrues i Konventës së OKB për Refugjatët, Italia duhet ta respektojë parimin e moskthimit dhe t’i mbrojë ata që duan të arrijnë në brigjet e saj.
Autore: Kristina Millona
Kristina Millona është hulumtuese shqiptare, që punon me tema që lidhen me homoeroticizmin, komunizmin dhe arkivat. Mban diplomë Master në Politikat Ndërkombëtare Feministe Queer nga Universiteti SOAS i Londrës.