Rojet bregdetare italiane janë duke kryer dy operacione në shkallë të gjerë për të shpëtuar rreth 1200 emigrantë nga varkat e mbipopulluara në brigjet e Sicilisë.
Rreth 800 persona janë duke udhëtuar në njërën nga varkat e peshkimit, ndërsa rreth 400 janë në një varkë tjetër.
Rojet bregdetare kanë shpëtuar tashmë rreth 2000 njerëz në disa operacione nga e premtja, shkruan BBC.
Të paktën dy persona kanë vdekur gjatë kalimit me varkë në fundjavë, ka theksuar një organizatë gjermane e quajtur ResQship.
Varka me 400 persona, e cila besohet të jetë nisur nga Tobruku në Libi, ishte ende duke qarkulluar, ka bërë të ditur një burim jozyrtar.
Me këtë rast, ai ka theksuar se kishte ngritur një alarm urgjent me autoritetet e Italisë, Greqisë dhe Maltës të dielën.
Organizata joqeveritare gjermane Sea-Watch International ka thënë se dy anije tregtare ishin urdhëruar të mos ndihmonin në përpjekjet e shpëtimit nga Malta, ndërsa anija ishte në ujërat malteze.
Në vend të kësaj, njërës prej anijeve iu lejua ta furnizonte atë me karburant dhe ujë.
Ndërsa, qeveria malteze nuk ka komentuar mbi këtë çështje.
Alarm Phone ka theksuar se kishte qenë në kontakt me njerëzit në bordin e varkës, e cila tani ndodhet në ujërat italiane në juglindje të Capo Passero.
Ai ka thënë se anija ishte në rrugë. Një grua në bord ka thënë gjithashtu se ishte pa kapitenin dhe kishte disa njerëz që kishin nevojë për kujdes mjekësor.
Një operacion për të shpëtuar 800 persona në varkën tjetër është duke u zhvilluar në juglindje të Sirakuzës, por operacioni është komplikuar nga mbipopullimi në bord, ka theksuar roja bregdetare italiane. Nuk ishte e qartë në fillim se nga ishte nisur anija.
Varka të tjera mbërritën në ishullin italian të Lampedusa, një nga portet kryesore të mbërritjes për njerëzit që duan të arrijnë në Evropë, gjatë fundjavës.
Të paktën dy emigrantë vdiqën dhe rreth 20 të tjerë u zhdukën pasi varka e tyre u mbyt të shtunën mbrëma, ka theksuar ResQship.
Sipas grupit të monitorimit të IOM-it, Projekti i Migrantëve të Zhdukur, më shumë se 26,000 njerëz kanë vdekur ose janë zhdukur në det në Mesdheun qendror që nga viti 2014.