Blerim Rexha, kryetar i komisionit vlerësues, në konkursin e fundit për profesor asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), në kuadër të Universitetit të Prishtinës (UP), e ka pranuar se Ilir Murturi me doktoratë të kryer në Vjenë, ka qenë më i mirë se kundërkandidati i cili është pranuar në këtë pozitë, Besmi Sejdiu.
Rexha, në “Rreth e Rrotull” e pranoi se Murturi është kandidat dhe shkencëtar më i mirë se sa kundërkandiati i tij, Sejdiu, teksa fajet ia la ligjeve ekzistuese mbi të cilat ka funksionuar ky konkurs.
Konkursi në fjalë, sipas Rexhës, ka shpërfaqur të meta të mëdha të bazës ligjore të UP-së.
“Iliri është ish-student i shkëlqyeshëm i imi, shok i mirë. Unë e kam nxitë të kthehet në Kosovë, mendoj si koleg si Iliri ka nevojë Kosova. Fatkeqësisht kundërkandidati i ka pasur letrat të përgatitura më mirë se Iliri. Komisioni ka qenë i lidhur për kushtet e konkursit. Personalisht mendoj që Iliri edhe unë edhe kolegët, mendojmë që Iliri është shkencëtar më i mirë se kundërkandiati që ne e kemi rekomandu, edhe pse kundërkandidati është inxhinier i shkëlqyeshëm, i angazhuar që 14 vjet në fakultetin tonë.
“Sikur të mos kish pasur rregulla siç ka qenë konkursi, padyshim e kishim zgjedhë Ilirin. Por me këto kushte, nuk do të mundeshin të zgjidhej Iliri. A janë të mira këto? Jo. Ky konkurs i ka shpërfaqë shumë të meta që i ka, edhe formën e vlerësimit edhe nënkategoritë e marrjet e pikëve, kjo është baza ligjore që e kemi, dhe duhet të sillemi konform kësaj”, tha ai.
Ai tha se Sejdiu e ka përgatitur dosjen e tij më mirë sesa Murturi, edhe pse e pranoi që dokumentet e prezantuara të Sejdiut nuk janë më të mira sesa të Murturit.
“Uroj që UP-ja të reflektojë, sepse ne si fakultet kemi kërkuar tri pozita, jo një. Për një kemi pasur këtë konkurrencë. Edhe kundërkandidati tjetër Besmir Sejdiu, është koleg i shkëlqyeshëm, edhe pse mendimi ka qenë i imi për Ilirin, ai e ka përgatit dosjen e tij më mirë se Iliri, ky ka qenë rezultati duhet t’i bindemi rregullores. Kjo duhet të ndryshojë dhe diçka e tillë të mos përsëritet. Besmiri është i shkëlqyeshëm, por letrat i ka pru pak ma mirë se tjetri. Ilirit ndoshta nuk i kemi ndihmu aq sa duhet, ndoshta për disa letra që nuk kanë vlerë shkencore”, ka thënë ai.
Tutje, ai dha detaje për mënyrën se si janë vlerësuar kandidatët.
“Konkursi i ka 7 nënkategori ku bëhet vlerësimi, njëra është publikimi shkencore, ku secili kandidat që aplikon mundet me i marrë më së shumti 40 pikë. Iliri i ka marrë 79 pikë, por i vlerësohen vetëm 40. Besmiri i ka marrë 49, por e plotëson kuotën e 40 pikëve”, ka thënë ai.
Ndryshe, kandidati Ilir Murturi ka paralajmëruar ankesë në lidhje me këtë konkurs. Ai ka thënë se kundërkandidati i tij i ka paraqitur si punime shkencore punimet e botuara në shtëpinë botuese “Ricoh”.
Murturi e ka përfunduar doktoratën në Universitetin Teknik të Vjenës.