Deputeti i LVV-së, Mirsad Shkreta ditë më parë ka qenë cak i një vjedhjeje. Atij i janë vjedhur 50 mijë euro dhe stoli në vlerë prej 10 mijë eurosh.
Shkreta, nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje më këtë ngjarje.
Në postimin e tij, ai ka shkruar se i ka përmbushur të gjitha obligimet sipas ligjit në lidhje me deklarimin e pasurisë, dhe të njëjtën gjë do ta bëjë edhe në mars të 2023.
“Vetëm që një vit e gjysmë kam marrë detyrën e deputetit, asnjëherë nuk kam pasur pozita ekzekutive, dhe i kam përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet e mia në lidhje me deklarimin e pasurisë. Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji”, ka shkruar Shkreta.
Ai, gjithashtu, shtoi se tendenca për të lidhur gjithçka me postin e deputetit që ai mban, është qëllimkeqe dhe e padrejtë.
“Tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post (“deputetit”) është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike”, ka shkruar Shkreta.
Për rastin në fjalë ka deklaruar edhe zyrtarja nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se për rastin e “Vjedhjes së rëndë” janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështjeje penale. Meqenëse rasti është në hetime, aktualisht nuk mund të japim informata shtesë, andaj për zhvillimet e tjera do të njoftoheni në kohë”, ka njoftuar Laureta Ulaj për RTV Dukagjinin.