Nën brohoritjet “Ne nuk falim, ne nuk harrojmë”, ka nisur protesta e organizuar nga fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i kundërshtuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që i kishte bërë në pesëvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Kurti nuk e kishte përmendur faktin se Ivanoviq ishte dënuar për krime lufte ndaj shqiptarëve, por vetëm kishte thurur lavde për ish-politikanin serb.
Protesta po mbahet para Qeverisë së Kosovës. Në pankartat që po mbajnë në duar protestuesit shkruhet “Kryeministër, mos na shkel në gjak, stop devijimit të historisë”, “Ivanoviqi vrau shqiptarë mos e amnisto”, “Kryeministër mos i glorifiko kriminelët”, “Kryeministër kurrë si dhe asgjë Kosovës, dorëhiqu”, “Me gjak e atdhe nuk bëjmë kompromis” e shumë të tjera.