Izraeli, delegacion në Katar për bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit

Izraeli tha se do të dërgojë një delegacion në Katar të hënën “në përpjekje për të nxitur negociatat” për armëpushimin në Gazë, ndërsa Hamasi, grupi i përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, tha se ka patur “sinjale pozitive” në bisedimet me ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari për fillimin e negociatave, tashmë të vonuara, për fazën e dytë të armëpushimit.

Deklarata nga zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk jepte detaje të mëtejshme, përveç faktit se kishte “pranuar ftesën e ndërmjetësuesve që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara”. Zëdhënësi i Hamasit, Abdel-Latif al-Qanoua gjithashtu nuk dha detaje. Bisedimet për fazën e dytë duhet të kishin filluar një muaj më parë.

Nuk pati komente të menjëhershme nga Shtëpia e Bardhë, e cila të mërkurën bëri konfirmimin surprizë se kishte pasur bisedime të drejtpërdrejta mes Shteteve të Bashkuara dhe Hamasit.

Gjatë javës së fundit, Izraeli ka ushtruar trysni ndaj Hamasit që të lirojë pjesën e mbetur të pengjeve, në këmbim të një zgjatjeje të fazës së parë, që përfundoi fundjavën e kaluar, si dhe premtimit për negociata për një armëpushim afatgjatë. Hamasi mendohet se mban 24 pengje ende të gjallë dhe trupat e 35 pengjeve të vrara.

Fundjavën e kaluar, Izraeli ndërpreu të gjitha furnizimet për Gazën me 2 milionë banorë, në formë trysnie ndaj Hamasit, që ka deklaruar se kjo masë do të ndikojë edhe tek pengjet e mbetura.

Armëpushimi ka ndalur përkohësisht luftimet më vdekjeprurëse dhe shkatërrimtare që janë bërë ndonjëherë ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, që u shkaktuan nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023. Faza e parë mundësoi kthimin e 25 pengjeve të gjallë dhe trupat e 8 të tjerëve, në këmbim të lirimit të gati 2,000 të burgosurve palestinezë.

Forcat izraelite janë tërhequr në zona neutrale brenda Gazës, qindra mijëra palestinezë të zhvendosur janë rikthyer në Gazën veriore për herë të parë që nga fillimet e luftës dhe qindra kamionë me ndihma hynin çdo ditë, përpara se Izraeli të ndalte furnizimet.

Përpara tubimit të tyre të përjavshëm në Tel Aviv, të afërmit e pengjeve iu drejtuan Presidentit amerikan Donald Trump, i cili u takua me tetë nga ish-pengjet të mërkurën:

“Zoti President, një rikthim tek lufta do të thotë dënim me vdekje për pengjet që kanë mbetur gjallë. Ju lutemi mos e lejoni Netanyahun t’i sakrifikojë”.

Vendet myslimane refuzojnë zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza

Po të shtunën, ministrat e jashtëm nga vende myslimane refuzuan thirrjet e Presidentit Trump për largimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës dhe mbështetën planin për një komitet administrativ që do të qeveriste territorin dhe për të mundësuar procesin e rindërtimit.

Ministrat e jashtëm u mblodhën në Arabinë Saudite në një sesion të posaçëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, për të trajtuar situatën në Gazë. Kjo organizatë ka 57 vende anëtare me popullsi përgjithësisht myslimane.

Vendet anëtare mbështetën planet për rindërtimin e Gazës, të propozuara nga Egjipti dhe të mbështetura nga vendet arabe, ndër to edhe Arabia Saudite dhe Jordania.

Pa përmendur Presidentin Trump, deklarata e ministrave të jashtëm thotë se ata refuzojnë “planet që synojnë zhvendosjen e popullsisë palestineze, individualisht apo kolektivisht… si një spastrim etnik, një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar dhe një krim ndaj njerëzimit”.

Ata gjithashtu dënuan “politikat e urisë” që synojnë t’i detyrojnë palestinezët të largohen, një referencë ndaj ndërprerjes nga Izraeli të të gjitha furnizimeve drejt Gazës.

Presidenti Trump ka bërë thirrje që popullsia e Gazës të rivendoset diku tjetër, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të marrin në dorë zhvillimin e këtij territori. Palestinezët kanë refuzuar thirrjet për t’u larguar.

Takimi i ministrave të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik mbështeti një propozim që Hamasi të zëvendësohet nga një komitet administrativ si organi qeverisës i Gazës. Komiteti do të funksiononte “nën ombrellën” e Autoritetit Palestinez, me seli në Bregun Perëndimor. Izraeli ka refuzuar mundësinë që Autoriteti Palestinez të luajë ndonjë rol në Gazë, por nuk ka paraqitur një alternativë për një sistem qeverisës pas luftës.

Ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë thanë në një deklaratë të përbashkët se mirëpresin iniciativën arabe për planin e ndërtimit të Gazës, duke e quajtur atë “një plan realist”. Ata shtuan se “Hamasi nuk duhet ta qeverisë më Gazën dhe nuk duhet të përbëjë më një kërcënim për Izraelin”, si dhe se mbështesin rolin qendror të Autoritetit Palestinez.

Në orët e para të së shtunës, sulmet izraelite vranë dy palestinezë në qytetin jugor Rafah, njoftoi ministria e atjeshme e shëndetësisë. Ushtria izraelite tha se goditi një grup personash që dukej se po drejtonin një dron që hyri në hapësirën ajrore izraelite.

Operacioni ushtarak i Izraelit ka vrarë mbi 48,000 palestinezë në Gazë, shumica gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gazë, e cila nuk cilëson se sa prej të vrarëve ishin anëtarë të Hamasit.

Nga sulmi i Hamasit në tetor 2023 u vranë brenda territorit të Izraelit mbi 1,200 persona, shumica civilë, dhe u morën peng 251 persona. Shumica janë liruar nëpërmjet marrëveshjeve të armëpushimit dhe marrëveshjeve të tjera. Hamasi vazhdon të mbajë edhe trupin e një ushtari të vrarë gjatë luftës së vitit 2014./VOA

Shija e redaktorit

Laura Fazliu stoliset me medalje të bronztë në Linz Grand...

Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka fituar medaljen e bronztë në Grand Prix Upper, që po mbahet në Austri. Medalistja olimpike shënoi tri fitore në...

ShSKUK: Mbi 17 mijë lindje u kryen gjatë vitit 2024

Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 janë kryer 17 mijë e 495 lindje në...

Përurohet investimi i Dukagjinit në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në...

Fëmijët e nivelit parashkollor në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, kishin festë vetëm një ditë para ditës së mësimdhënësve të tyre. Atyre, iu është...

Të fundit nga rubrika