Associated Press
Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – më 25 dhjetor e pritën ftohtë një propozim të Egjiptit për t’i dhënë fund luftës. Por, armiqtë e kamotshëm nuk e refuzuan krejtësisht planin, duke rritur mundësitë për një rund të ri të diplomacisë për ndërprerjen e ofensivës shkatërruese izraelite në Rripin e Gazës.
Plani egjiptian bën thirrje për lirimin e pengjeve përmes disa fazave dhe për formimin e një qeverie palestineze, të përbërë nga ekspertët, që do të administronte Rripin e Gazës dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, sipas një zyrtari të lartë egjiptian dhe një diplomati evropian, që janë në dijeni me propozimin.
Zyrtari egjiptian, që foli në kushte anonimiteti për propozimin, tha se detajet janë punuar me shtetin e Katarit, dhe propozimi u është prezantuar qeverive të Izraelit, Shteteve të Bashkuara, shteteve evropiane dhe Hamasit. Egjipti dhe Katari ndërmjetësojnë mes Izraelit dhe Hamasit, ndërkaq SHBA-ja është aleatja më e ngushtë e Izraelit dhe një fuqi kyçe në rajon, shkruan Rel.
Kryeministri izraelit, Benjamin Nentanyahu, nuk e ka komentuar drejtpërdrejt propozimin. Por, gjatë bisedës me anëtarët e partisë së tij, Likud, ai tha se ishte i vendosur që të vazhdonte me ofensivën e Izraelit, që nisi si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor në jug të Izraelit, ku u vranë 1.200 persona dhe u morën peng rreth 240 të tjerë.
“Ne do t’i zgjerojmë luftimet në ditët në vijim dhe kjo do të jetë një betejë e gjatë që nuk është afër përfundimit”, tha ai.
Hamasi ka vazhduar të gjuajë raketa brenda Izraelit, teksa luftimet po vazhdojnë. Të hënën mbrëma, grupi radikal lëshoi një breshëri raketash, duke nxitur lëshimin e sirenave për sulme ajrore në qytetin jugor izraelit Ashkelon. Sipas videove të Associated Press, sistemi mbrojtës i Izraelit shkatërroi disa raketa. Ende nuk ka raportime për dëme apo viktima nga këto sulme.
Propozimi egjiptian nuk përfshin qëllimin e Izraelit për të shtypur Hamasin. Po ashtu, duket se është në kundërshtim me këmbënguljen e Izraelit që të mbajë kontroll ushtarak mbi Gazën për një periudhë të gjatë kohore pasi të përfundojë lufta.
Por, Netanyahu po përballet me presion brenda vendit që të arrijë një marrëveshje për lirimin e më shumë se 100 robërve izraelitë, të cilët ende mbahen peng në Gazë.
Përderisa ai gjatë një fjalimi në Parlament u zotua se do të vazhdojë luftën, familjarët e njerëzve që po mbahen rob e penguan atë dhe kërkuan kthimin e të gjitha pengjeve. “Tani, tani”, brohoritën ata.
Rritja e numrit të ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë operacionit tokësor, po ashtu, kërcënon që të minojë mbështetjen e publikut për luftën. Ushtria izraelite njoftoi për vdekjen edhe të dy ushtarëve të hënën, duke bërë që numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë gjatë luftës të arrijë në 156.
Kabineti i luftës i Netanyahut ka mbajtur një takim mbrëmjen e së hënës, por ende është e paqartë nëse gjatë mbledhjes është diskutuar për propozimin egjiptian.
Hamasi ende zyrtarisht nuk ka reaguar për propozimin. Por, është e paqartë nëse Hamasi do të pajtohej të hiqte dorë nga pushteti, pasi për 16 vjet kontrollon Gazën.
Izzat Rishq, zyrtar i lartë i Hamasit, i cili besohet se gjendet në Katar, lëshoi një deklaratë duke përsëritur qëndrimin e grupit radikal se nuk do të negociojnë “pa përfundimin e plotë të agresionit”. Ai tha se Hamasi nuk do të pajtohej “për një armëpushim të përkohshëm apo të pjesshëm që do të zgjaste për një periudhë të shkurtër kohore”.
Lajmi për propozimin e Egjiptit u bë i ditur teksa sulmet e ashpra ajrore të Izraelit goditën pjesën qendrore dhe jugore të Gazës.
Në kampin e refugjatëve, Magazi të hënën punëtorët e shpëtimit nxorën trupa nga rrënojat, pas sulmeve të një nate më parë. Sipas të dhënave që i ka parë AP-ja, në spitalin Al-Aksa që gjendet pranë kampit, të paktën 106 persona janë vrarë – duke bërë që ky sulm të jetë një prej sulmeve më vdekjeprurëse ajrore gjatë fushatës së Izraelit.
Organizatë Botërore e Shëndetësisë vizitoi të hënën spitalin, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
“Spitali po pranon më shumë pacientë sesa që ka kapacitet dhe staf. Shumë nga ta nuk do t’i mbijetojnë pritjes”, tha ai nëpërmjet një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës, duke vrarë më shumë se 20.600 palestinezë dhe duke detyruar që të zhvendoset pothuajse e gjithë popullsia e territorit prej 2.3 milionë banorësh.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, po ashtu, kanë paralajmëruar se çereku i popullsisë është duke u përballur me uri në territorin e rrethuar nga Izraeli, i cili lejon që në Gazë të futet vetëm një sasi e vogël e furnizimeve.
Në jug të Rripit të Gazës, Hamasi ka pranuar se e ka qëlluar për vdekje një djalë 13 vjeç, i cili ishte pjesë e një grupi njerëzish që tentuan të merrnin ndihma nga një kamion. Vrasja e tij ka nxitur protesta të dhunshme dhe kritika të rralla publike kundër Hamasit.
Propozimi egjiptian
Propozimi egjiptian është ambicioz, që synon jo vetëm t’i japë fund luftës, por po ashtu paraqet një plan për ditën pasuese.
Propozimi bën thirrje për një armëpushim fillestar prej dy javësh, gjatë së cilit, luftëtarët e Hamasit do të lironin 40 deri në 50 pengje, në mesin e të cilëve gra, të sëmurë dhe të moshuar, në këmbim të lirimit të 120-150 palestinezëve nga burgjet izraelite, tha zyrtari egjiptian.
Në të njëjtën kohë, negociatat do të vazhdonin për zgjatjen e armëpushimit dhe lirimit të më shumë pengjeve dhe trupave të pajetë që mbahen nga Hamasi, tha ai.
Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se 20 nga pengjet kanë vdekur ose janë vrarë gjatë robërimit.
Egjipti dhe Katari, sipas propozimit, po ashtu do të punonin me të gjitha fraksionet palestineze, përfshirë Hamasin dhe rivalin e tij, Autoritetin Palestinez – të njohur ndërkombëtarisht – për t’u pajtuar për krijimin e një qeverie të ekspertëve, tha zyrtari egjiptian.