Ushtria e Izraelit (IDF) ka njoftuar se ka kryer sulme ajrore të shtunën mbi Iranin, duke synuar objektet ushtarake.
“Në të njëjtën kohë, IDF-JA goditi aftësitë shtesë ajrore iraniane, që synonin të kufizonin lirinë ajrore të Izraelit të operimit në Iran”, thuhet në deklaratë.
Izraeli nuk ka shënjestruar udhëheqësit e Iranit, objektet bërthamore apo ato të naftës – që mund të çojë në përshkallëzim edhe më të madh të luftës.
Kjo do të thotë se përgjigja e Izraelit ka marrë parasysh sugjerimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe për të treguar përmbajtje në “sulmin hakmarrës”.
Autoritetet iraniane kanë thënë se kanë arritur të ndalin të gjitha raketat e Izraelit, ndërsa dëmet janë të vogla.
Pas sulmit që kreu javë më parë në Izrael, Teherani tha se ishte hakmarrje për një sulm paraprak nga Izraeli.
Zëdhënësi i IDF-së shtoi se, “si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtë dhe detyrë të përgjigjet”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, “është informuar dhe po ndjek nga afër zhvillimet”, raportoi televizioni CBS.
Sulmet izraelite raportohet se nuk kishin në shënjestër objektet energjetike apo bërthamore.
Disa media raportuan për një valë të dytë të sulmesh në qytetin iranian të Shirazit, por televizioni shtetëror iranian tha se nuk kishte sulme diku tjetër, ndërsa Izraeli nuk komentoi.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Sean Savett, tha se Uashingtoni është këshilluar për sulmet paraprakisht.
Sipas tij, sulmet janë “ushtrim i vetëmbrojtjes dhe në përgjigje të sulmit me raketa balistike të Iranit kundër Izraelit, që u krye më 1 tetor”.
Rreth së njëjtës kohë, agjencia shtetërore siriane e lajmeve SANA raportoi se një sulm ajror i Izraelit shënjestroi disa lokacione ushtarake në pjesët qendrore dhe jugore të Sirisë.
Shqetësimet janë rritur se Irani dhe Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen në një luftë rajonale, derisa Izraeli i intensifikon sulmet në Liban kundër Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor.
Sulmet ajrore që kanë goditur Bejrutin dhe Libanin jugor, janë shoqëruar edhe me operacion tokësor.
Hezbollahu – i cilësuar organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – mbështet Hamasin, i cili ka qenë shënjestër e Izraelit gjatë gjithë vitit të kaluar.
Kjo, pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në fillim të këtij muaji, Irani ka lansuar qindra raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa të paktën disa prej tyre kanë goditur në territorin izraelit. Ishte sulmi i dytë i Iranit këtë vit, pasi lansoi qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit në prill. Irani u hakmor pas vrasjeve të liderëve të Hamasit e Hezbollahut./BBC.