Izraeli njofton për tërheqjen e mijëra trupave nga Gaza

Mijëra trupa izraelite po tërhiqen nga Rripi i Gazës, sipas deklaratës së ushtrisë më 1 janar. Ky veprim shënon tërheqjen e parë të madhe të trupave izraelite që nga fillimi i luftës

Ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës. 16 nëntor 2023.

Mijëra ushtarë izraelitë po zhvendosen nga Rripi i Gazës, tha ushtria më 1 janar. Kjo është shenja e parë e një tërheqjeje të konsiderueshme të trupave nga Izraeli që nga fillimi i luftës, përderisa forcat izraelite vazhduan të sulmojnë qytetin kryesor në jug të enklavës.

Lëvizja e trupave mund të sinjalizojë se po ulet intensiteti i luftimeve në disa zona në Gazë, veçmas në veri, ku ushtria tha se është afër që të marrë kontrollin operacional. Izraeli po përballet me presion nga aleati kryesor, Uashingtoni, që të ulë intensitetin e luftimeve.

Lajmi për uljen e numrit të trupave erdhi para vizitës në rajon të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Vizita e kryediplomatit në Lindjen e Mesme do të zhvillohet pasi administrata e presidentit Joe Biden, kaloi në Kongres shitjen e armëve për Izraelin.

Por, luftime të ashpra kanë vazhduar në zona të tjera të Gazës, veçmas në qytetin jugor, Han Junis dhe në pjesën qendrore të territorit. Izraeli është zotuar se lufta do të vazhdojë derisa të arrihet qëllimi i tij, që është shkatërrimi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – që ka qeverisur me Gazën për 16 vjet.

Përmes një deklarate, ushtria tha të hënën se pesë brigada, apo disa mijëra trupa, do të largohen nga Gaza në javët në vijim për trajnime dhe pushim.

Të dielën, zëdhënësi i ushtrisë, Daniel Hagari, bëri njoftimin e parë të shkurtër për tërheqjen e trupave, por pa specifikuar se për sa trupa bëhet fjalë apo nëse ky vendim nënkupton se Izraeli po nis një fazë të re të luftës.

“Objektivat e luftës kërkojnë luftime të gjata dhe ne po përgatitemi në përputhje me këtë”, tha ai.

Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, i cili nxiti luftën pas sulmeve të 7 tetorit në jug të Izraelit, kur grupi radikal vrau 1.200 persona dhe mori peng afër 240 të tjerë, shkruan REL.

Izraeli u kundërpërgjigj fuqishëm me një ofensivë tokësore, ajrore dhe detare që deri më tani ka marrë jetën e mbi 21.800 personave në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Megjithatë, kjo Ministri nuk bën dallimin mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit.

Izraeli ka thënë se mbi 8.000 luftëtarë të Hamasit janë vrarë, por nuk ka dhënë dëshmi për këto pretendime.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika