Ushtria izraelite ka pranuar se trupat e saj kanë bërë “gabime” në incidentin tragjik të 23 marsit në jug të Gazës, ku u vranë 15 punonjës të urgjencës, përfshirë mjekë dhe shoferë të ambulancave.
Në këtë ngjarje u qëllua një karvan ndihme mjekësore pranë Rafahut, që përfshinte ambulanca të Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS), një makinë të OKB-së dhe një kamion të Mbrojtjes Civile.
Ushtria izraelite fillimisht kishte pretenduar se autokolona po lëvizte në mënyrë “të dyshimtë” dhe pa drita, por më pas e pranoi se kjo nuk ishte e vërtetë.
Pamje të publikuara nga “New York Times”, të regjistruara me telefon nga një prej viktimave, Refat Radwan, tregojnë qartë se automjetet kishin dritat ndezura dhe ishin të shënuara qartë si mjete ndihme. Në video dëgjohen edhe të shtënat që nisin papritur dhe më pas zërat e ushtarëve izraelitë që i afrohen automjeteve, ndërsa Radwan dëgjohet duke shqiptuar lutjet e fundit.
Izraeli këmbëngul se gjashtë prej mjekëve të vrarë kishin lidhje me Hamasin, por deri tani nuk ka paraqitur prova. Ushtria gjithashtu ka pranuar se asnjëri nga mjekët nuk ishte i armatosur në momentin kur u qëlluan.
Sipas një zyrtari të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), sulmi ndodhi pasi më herët një automjet i dyshuar me tre anëtarë të Hamasit ishte shënjestruar. Kur ambulancat iu afruan vendit për t’i ndihmuar, ushtarët supozuan se edhe ato përbënin kërcënim dhe hapën zjarr.
Pas incidentit, trupat e viktimave u varrosën në rërë nga vetë ushtarët izraelitë, të cilët më vonë zhvendosën automjetet për të pastruar rrugën. Trupat u zbuluan një javë më pas nga ekipet e ndihmës humanitare, përfshirë agjencitë e OKB-së, të cilat nuk kishin mundur të hyjnë më parë në zonë për shkak të pasigurisë.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze dhe organizata të tjera ndërkombëtare po kërkojnë hetim të pavarur për rastin. Izraeli nga ana e tij ka premtuar “ekzaminim të plotë” të ngjarjes për të “kuptuar sekuencën e veprimeve dhe mënyrën si u trajtua situata”.
Incidenti ndodhi në kohën kur Izraeli rifilloi ofensivën në Gaza më 18 mars, pas ndërprerjes së armëpushimit. Që atëherë, më shumë se 1,200 palestinezë janë vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, numri i të vrarëve në Gaza ka kaluar 50,600 persona.