Izraeli thotë se e ka vrarë një komandant të lartë të Hezbollahut në Bejrut

Njerëzit mblidhen në vendin e ngjarjes të një sulmi raketor izraelit në jug të Bejrutit, Liban, 20 shtator 2024.

Izraeli kreu një sulm të rrallë ajror, i cili në shënjestër kishte një komandant të lartë të Hezbollahut, në një lagje të mbipopulluar në jug të Bejrutit të premten, tha ushtria izraelite.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës në kryeqytetin e Libanit në vitet e fundit, pasi u raportua për së paku 12 të tjerë të vrarë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se sulmi në rrethinën Dahia në jug të Bejrutit e kishte në shënjestër dhe e vrau Ibrahim Akilin, komandantin e Forcës elitare Radwan të Hezbollahut, si dhe 10 operativë të tjerë të këtij grupi të shpallur organizatë terroriste ngas Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hezbollahu nuk e ka konfirmuar vdekjen e Akilit deri tani.

Ushtria izraelite nuk zbuloi identitetin e komandantëve të tjerë që tha se i vrau në sulmin e kryer në lagjen e mbipopulluar.

Zyrtarët shëndetësorë të Libanit thanë se së paku 12 njerëz u vranë dhe 66 të tjerë u plagosën nga ky sulm. Nëntë nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, sipas tyre.

Akili shpërbënte si shef i organit më të lartë ushtarak të Hezbollahut, Këshilli i Xhihadit, dhe ka qenë i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në dy sulme terroriste më 1983, si pasojë e të cilave ishin vrarë mbi 300 njerëz në Ambasadën amerikane në Bejrut dhe në barakat e Marinës amerikane.

Sulmi i së premtes në Bejrut u krye gjatë orës së pikut kur njerëzit po ktheheshin nëpër shtëpi nga puna dhe fëmijët e kishin kryer mësimin.

“Sulmi në Liban u krye për ta mbrojtur Izraelin”, tha Hagari në një konferencë për media pas sulmit, duke e përshkruar Akilin si njërin prej militantëve përgjegjës të Hezbollahut për sulmet e rregullta raketore të këtij grupi në Izrael.

Më herët të premten, Hezbollah e goditi veriun e Izraelit me 140 raketa, një ditë pasi lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, u zotua për hakmarrje ndaj Izraelit për shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve të telekomunikimit në Liban këtë javë.

Hezbollahu edhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse çdo ditë prej 8 tetorit, një ditë pasi nisi lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Megjithatë, sulmi raketor i së premtes ishte më i madh se zakonisht.

Nasrallah u zotua të enjten për vazhdimin e sulmeve të përditshme ndaj Izraelit, pavarësisht sulmit vdekjeprurës të kësaj jave në pajisjet e komunikimit të anëtarëve të saj./Radio Evropa e Lirë 

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika