Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë pesë militantë, duke përfshirë komandantin e njohur të Xhihadit Islamik, Mohammed Jaber (Abu Shujaa), në një operacion të gjerë në Bregun Perëndimor të pushtuar, herët në mëngjesin e së enjtes.
Abu Shujaa u bë figurë e njohur për palestinezët pasi raportet e mëparshme për vdekjen e tij rezultuan të pasakta, dhe ai u shfaq papritmas në një funeral.
Operacioni u zhvillua në kampin e refugjatëve Nur Shams, në periferi të Tulkaremit, ku ushtria izraelite raportoi se militantët ishin fshehur brenda një xhamie dhe shkëmbyen zjarr me forcat izraelite.
Sipas burimeve izraelite, Abu Shujaa ishte përgjegjës për disa sulme ndaj izraelitëve, përfshirë një sulm vdekjeprurës në qershor, dhe ishte në fazën e planifikimit të sulmeve të tjera, raporton AP.
Ndërkohë, Hamasi ka njoftuar për vrasjen e 10 luftëtarëve të tij në vende të ndryshme gjatë operacionit të nisur nga Izraeli të mërkurën gjatë natës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë palestineze raportoi një viktimë të 11-të, pa sqaruar nëse ai ishte një militant apo civil.
Dhuna në Bregun Perëndimor ka përshkallëzuar ndjeshëm pas sulmit të Hamasit nga Gaza më 7 tetor, që ndezi një luftë të re në rajon.
Nur Shams është një nga kampet e refugjatëve të ndërtuar pas luftës së vitit 1948, ku rreth 700,000 palestinezë u larguan ose u dëbuan nga ajo që tani është Izraeli. Ky kamp, si edhe të tjerë në të gjithë Lindjen e Mesme, është bërë një bastion i militantizmit.
Izraeli ka mbajtur nën pushtim Bregun Perëndimor, Rripin e Gazës dhe Jerusalemin Lindor që nga lufta e Lindjes së Mesme e vitit 1967, dhe palestinezët kërkojnë këto territore për shtetin e tyre të ardhshëm.
Aktualisht, mbi 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën një sundim ushtarak izraelit, ndërsa mbi 500,000 kolonë hebrenj jetojnë në vendbanime të cilat shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron të paligjshme.