Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka ngritur një çështje ligjore lidhur me mandatin e anëtarëve të Qeverisë në rastin e certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke e vënë në pikëpyetje nëse kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij do të respektojnë Ligjin 08/L-117 për Qeverinë, të cilin ata vetë e kanë hartuar dhe miratuar.
Bajrami ka cituar nenin 26 të këtij ligji, duke theksuar se nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje para certifikimit të rezultateve. Sipas saj, nëse rezultatet certifikohen të nesërmen, atëherë kryeministri dhe ministrat që janë zgjedhur deputetë duhet të japin dorëheqje menjëherë.
Bajrami – Qeverisë Kurti për Ligjin për Qeverinë: A e dini çfarë ligji keni miratuar, amatera
“Nga ana tjetër, Neni 30 thotë: ‘Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj, në përputhje me kufizimet e përcaktuara me nenin 31 të këtij ligji, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga ana e Kuvendit’.
Pyetja është: Çka don me thanë dorëheqja për Albin Kurtin dhe LVV-në, sepse deri me sot kushdo që ka dhënë dorëheqje s’ka punu më në atë institucion”, ka shkruar Bajrami.
Në reagim ndaj deklaratave të Bajramit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka kritikuar atë për keqinterpretim të ligjit.
“Hykmete, mos i ngatërro gjërat si zakonisht. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme. Nesër mund të bëhet shpallja e rezultateve, jo certifikimi”, ka shkruar Haxhiu.
Polemika mes dy politikaneve u përshkallëzua më tej në rrjetet sociale, respektivisht në komentet e postimit të minsitres së Drejtsisë.
“Albulenë ty të marrë seriozisht veç kur të përgjigjesh në këtë video”, shkroi Bajrami, duke iu referuar deklaratës së ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, mbi arsyet përse Ligji për cmimet tavan është shpallur jokushtetues.
Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar ligjin, duke argumentuar se ai binte ndesh me Kushtetutën pasi kompetenca për rregullimin e tregut nuk i ishte caktuar një organi të pavarur, por qeverisë.
Polemika e Bajramit dhe Haxhiut në Facebook:
Albulena Haxhiu: Hykmete, mos i ngatërro gjërat si zakonisht. Shpallja e rezultateve dhe certifikimi janë procese të ndara dhe të ndryshme. Nesër mund të bëhet shpallja e rezultateve, jo certifikimi.
Hykmete N. Bajrami:
“Albulenë ty të marrë seriozisht veç kur të përgjigjësh në këtë video, përndryshe komentet tua pa ditë çka kam shkru, duke lexu vetëm tituj nuk i marr seriozisht.”
Albulena Haxhiu:
“Hykmete N. Bajrami Pasi të kesh kërkuar falje për huqjen do të mund të përgjigjem.”
Hykmete N. Bajrami:
“Albulena Haxhiu ku ja kam huqë, kqyre Ligjin, qysh e ke shkru.
Unë kam thënë nëse rezultatet certifikohen nesër duhesh me dhanë dorëheqje sonte. A e kupton fjalën ‘nëse’?
Me siguri jo, se kështu ja ke huqë me krejt ligjet që 4 vite.”
Albulena Haxhiu:
“Hykmete N. Bajrami natën e mirë.”