Katër vjet pas arrestimit, Jakup Krasniqi është kthyer në vendlindje, në Negroc.
Por, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Haga erdhi në Kosovë me shumë forca të Policisë për shkak se është në paraburgim në Dhomat e Specializuara për Kosovë.
Ky institucion e liroi përkohësisht për shkak se atij i vdiq së fundmi vëllai.
“Për arsye humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje të z. Krasniqi në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës,” thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara në Kosovë.
Ani se nuk arriti në varrimin e tij, që u mbajt ditë më parë, me të mbërritur Krasniqi ka shkuar në varrezat e fshatit.
Së paku 5 zyrtarë policor të EULEX-it e kanë përcjell e ruajtur derisa ai ka vizituar varrin, kurse disa familjarë e qytetarë kanë qëndruar afër.
Krasniqi, që realisht është i paraburgosur edhe tani, në këtë vizitë të shkurtër të drejtë takimi ka vetëm me familjen e afërt.
Ai do të kthehet përsëri në Hagë ku Gjykata vazhdimisht ua ka vazhduar masën e paraburgimit që nga fillimi i nëntorit 2020, kur Krasniqi u arrestua bashkë me Rexhep Selimin, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Edhe këta dy të fundit kanë qenë nga ajo kohë në Kosovë, pikërisht për raste të tilla, Veseli pasi i kanë vdekur prindërit, kurse Thaçi për të vizituar nënën në gjendje të rëndë shëndetësore.