Gjatë seancës plenare në Kuvendin e Kosovës ka pasur një përplasje në mes të deputetëve të PDK-së dhe atyre të VV-së dhe ministrave të kryeministrit, Albin Kurti, të cilët po mbronin.
Për këtë ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se “për herë të parë në jetën time politike, jam fyer, sharë, shtyrë”, duke shtuar e deputeti i VV-së, Halil Thaçi, mund edhe ta kishte “goditur sikur të mos kisha mbrojtjen e kolegëve deputetë të PDK-së”.
“Sot, për herë të parë në jetën time politike, jam fyer, sharë, shtyrë dhe, do të isha edhe e goditur nga deputeti i Vetëvendosjes Halil Thaçi, sikur të mos kisha mbrojtjen e kolegëve deputetë të PDK-së. Asnjëherë nuk jam ndier kaq e rrezikuar dhe e goditur si deputete, si grua e si nënë, në të gjitha vitet e mija në shërbim të këtij vendi”, ka shkruar Deliu në Facebook.
Sipas saj, është e turpshme deri ku është në gjendje të shkojë Qeveria për të fshehur “skandalin” e audio-incizimeve.
“Është e turpshme se deri ku është në gjendje të shkoj kjo Qeveri, kjo shumicë parlamentare, për të fshehur skandalin e madh politik në të cilën është përfshirë në lidhje me koordinimin me Listën Serbe. Edhe këto goditje të ulëta, kjo fushatë e orkestruar ndaj opozitës, nuk do të na ndalë në demaskimin e fytyrës së vërtetë të kësaj Qeverie.
Beteja për Kosovën dhe rrugën e saj euro-atlantike, larg bashkëpunimit me Serbinë, vazhdon pandalshëm!”, ka shtuar Deliu.