Përgatitjet përfundimtare për shkarkimin e ujërave nga termocentrali i dëmtuar i Fukushimës në Japoni filluan më 23 gusht, një ditë përpara derdhjes së planifikuar në Oqeanin Paqësor.
Tokio kishte njoftuar një ditë më parë se operacioni i zbrazjes së ujërave në Paqësor do të fillonte më 24 gusht. Ky njoftim shkaktoi reagim të ashpër nga Kina dhe kufizime të pjesshme të importit të ushqimeve të detit nga Japonia në Hong Kong dhe Makau.
Operatori i uzinës, TEPCO, tha më 22 gusht se kishte holluar një metër kub ujëra të zeza me rreth 1.200 metra kub ujë deti dhe e kishte kaluar në një tubacion, prej ku mund të zbrazet në Paqësor.
Procesi do të testohet fillimisht përmes kësaj sasie fillestare dhe më pas, duke filluar nga 24 gushti, do të lëshohet në det së bashku me më shumë ujë të holluar, thuhet në një deklaratë të TEPCO-s.
Centrali i energjisë bërthamore Fukushima-Daiichi u rrëzua nga një tërmet masiv dhe cunami që vranë rreth 18.000 njerëz në mars të vitit 2011, kur një tre nga reaktorët e centralit u shkri.
TEPCO ka mbledhur 1.34 milion metra kub ujë që nga atëherë, që u përdorën për t’i ftohur reaktorët ende shumë radioaktivë.
Një sistem i veçantë ka filtruar të gjitha nuklidet radioaktive përveç tritiumit, nivelet e të cilit do të jenë brenda kufijve të sigurt, sipas TEPCO-s.
Zbrazja e këtyre ujërave në Paqësor është miratuar nga mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së, që tha se do të ketë personel në terren më 24 gusht për ta mbikëqyrur procesin, i cili do të marrë disa dekada kohë për t’u përfunduar.
Kina e kishte akuzuar edhe në të kaluarën Japoninë për trajtimin e oqeanit si një “kanalizim”, duke ndaluar importet e ushqimeve nga dhjetë prej 47 prefekturave të Japonisë edhe para këtij procesi.
Kina thirri më 22 gusht ambasadorin e Japonisë “për të bërë përfaqësime solemne”, ndërsa Hong Kongu dhe Makau, të dyja territore kineze, njoftuan ndalimin e importeve të “produkteve ujore” nga të njëjtat dhjetë rajone japoneze.
Analistët thanë se përderisa Kina mund të ketë shqetësime të vërteta për sigurinë, reagimi i saj i ashpër është gjithashtu të paktën pjesërisht i motivuar nga rivaliteti ekonomik dhe marrëdhëniet e ftohta me Japoninë.