Japonia mbajti një ceremoni të mërkurën, prej ku dhuroi rreth 100 automjete ushtarake për Ukrainën. Ky veprim i Tokios zyrtar synon të furnizojë Ukrainën me pajisje ushtarake më të rënda, krahasuar me dërgesat e tyre të mëparshme të helmetave dhe kostumeve ushtarake.
Në një ceremoni në Ministrinë e Mbrojtjes, në të cilën ishin ekspozuar dy kamionë gjysmëtonë, zëvendësministri japonez i Mbrojtjes Toshiro Ino i dorëzoi ambasadorit ukrainas Sergiy Korsunsky, një dokument ku renditeshin tri llojet e automjeteve të përfshira në donacion.
“Shpresojmë që pushtimi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të rikthehet jeta e përditshme paqësore. Ne do të ofrojmë sa më shumë mbështetje që të mundemi”, tha Ino, shkruan REL.
Dhurimi, i cili përfshin gjithashtu edhe 30,000 racione ushqimore, vjen në kohën kur Qeveria e Japonisë po kërkon të lehtësojë politikën e transferimit të pajisjeve ushtarake, përmes një politike të re të sigurisë kombëtare, që i lejon ushtrisë së saj një rol më të madh sulmues.
Teksa vendet e tjera i kanë ofruar Ukrainës tanke, raketa dhe avionë luftarakë, Japonia ka kufizuar donacionet e saj në pajisje jovdekjeprurëse, sepse politika e transferimit ndalon ofrimin e armëve vdekjeprurëse për vendet në luftë.
Japonia i ka ofruar Ukrainës jelekë antiplumbë, helmeta, maska kundër gazit, kostume, dronë të vegjël dhe racione ushqimore që nga fillimi i pushtimit rus vitin e kaluar.
Kryeministri japonez Fumio Kishida i premtoi automjete presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, kur ata u takuan në Hiroshimë të dielën gjatë samitit të Grupit të Shtatë (G7) shteteve më të industrializuara.
Japonia ka ofruar gjithashtu të trajtojë ushtarët e plagosur ukrainas në një spital ushtarak japonez.
Agjencia e Blerjes, e Teknologjisë dhe e Logjistikës tha se detajet, duke përfshirë numrin e saktë të automjeteve dhe kohën e dërgesës së tyre, janë duke u finalizuar.
Tokio u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në sanksionimin e Rusisë për pushtimin e saj dhe në ofrimin e mbështetjes humanitare dhe ekonomike për Ukrainën.
Japonia ka kontribuuar më shumë se 7 miliardë dollarë në Ukrainë.
Ajo ka pranuar gjithashtu më shumë se 2,000 ukrainas të zhvendosur dhe i ka ndihmuar ata me strehim dhe mbështetje për punë dhe arsim, një lëvizje e rrallë në një vend të njohur për politikën e tij strikte të emigracionit.