Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur se në dakordim me MASHT-in, nuk do të ketë test me shkrim për punëtorët e arsimit.
Ideja e testit me shkrim ka qenë një ide e cila morri këmbët e saj atëherë kur SBASHK-u kërkonte rritjen e pagave në sektorin e arsimit, një ide përherë e mohuar nga ana e kryetarit Jashari.
Testi me shkrim për punëtorët e arsimit ka qenë i përfolur në opinion në kohën kur SBASHK-u organizonte protesta për të kërkuar rritjen e pagës. Megjithatë, Jasharaj edhe në ato kohë pati insistuar se nuk do ta lejonte një gjë të tillë.
“Kemi insistuar dhe mbase do të bëhet një lloj vlerësimi i punëtorëve të arsimit që quhet vlerësim i brendshëm nga drejtorit e pastaj edhe një vlerësim i jashtëm përmes inspektorëve. Ne jemi për vlerësim të tillë sepse duam të dimë se cili është niveli i punës që bëjnë punëtorët e arsimit, por jo test me shkrim”, ka thënë Jasharaj për EO.
Ndërkohë, një vlerësim i mësimdhënësve është parë i domosdoshëm nga ana e Zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci,
“Vlerësimi i mësimdhënësve është i paraparë edhe me ligj edhe janë duke u bërë ndryshime në legjislacion, mirëpo nuk nënkuptohet që ai vlerësim do të jetë vlerësim në formë të testit”, ka thënë ai gjersa ka theksuar se me kërkimin e licensës duhet të zbatohen edhe metoda të reja të vlerësimit.
Një gjë e tillë sipas Rinor Qehajës, drejtori i Institutit EdGuard, do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së arsimit në vend.
“Vlerësim të mësimdhënësve duhet të ketë në përditshmëri. Mirëpo ai vlerësim duhet të fillojë në momentin kur të rishikojmë legjislacionin aktual mbi vlerësimin e performancës së mësimdhënësve. Pra jo vlerësime një herë në 5 vjet, jo vlerësime ku të vlerësuarit janë më të kualifikuar se vlerësuesi, por vlerësime të mirëfillta, të standardizuara dhe kredibile që na tregojnë se kush është gjendja e cilësisë së mësimdhënies dhe më e rëndësishmja e ndihmojnë vetë mësimdhënësin për përmirësimin”, ka thënë Qehaja për EO.
Rrahamn Jashraj është rizgjedhur për herë të tretë me radhë, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë.