Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ‘bëri humor pa kripë’ kur vuri pikëpyetjen në konferencë për media të shtunën, se përse sindikalistët kanë kërkuar 100 euro shtesë në paga deri në miratimin e Ligjit për Paga, dhe jo 300 apo 80.
Jasharaj përmes një komunikate për media të shtunën, ka thënë se kërkesa për 100 euro është bërë sepse iu është dukur më lehtë e realizueshme.
Por, Nagavci në konferencën për media, të shtunën është shprehur se pse SBASHK-u ka kërkuar pikërisht 100 euro, dhe jo 300 apo 500, apo 80.
“Pse vetëm për punëtorët e arsimit dhe jo tjerët, apo pse për të gjithë punëtorët e arsimit njëjtë”, ka deklaruar Nagavci në konferencë për media.
E ndaj kësaj deklarate Jasharaj, ka shtuar se nëse kanë kërkuar pak para, atëherë ka kërkuar nga ministrja Nagavci që të bëjë një kërkesë për një shtesë më të madhe.
“Kur jemi të kjo kërkesa modeste drejtuar Qeverisë për 100 euro shtesë në paga, Ministrja Nagavci bëri një humor pa fije kripe duke na kritikuar se pse paskemi kërkuar pikërisht 100 euro e jo , bie fjala , 300 euro. Ministre ne e kemi ditur se kjo kërkesë është minimale dhe e pamjaftueshme karshi gjithë këtyre ngritjeve të çmimeve, por e kemi bërë sepse mund të realizohej po të donte Qeveria. Nëse ju mendoni se kemi kërkuar pak dhe nuk e keni me tallje, atëherë si Ministre e tërë arsimit që je, kërko dhe realizo në Qeveri kërkesën tënde për 200 a 300 euro shtesë dhe ne do të jemi më të lumturit dhe do të ndjehemi krenar me ty”, ka shkruar Jasharaj.
Po ashtu, Jasharaj ka kritikuar Qeverinë duke thënë se ka qasje të gabueshme ndaj sindikatave dhe dialogut, dhe se po krijon mjegull për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera.
“Qasja e gabueshme e Qeverisë ndaj sindikatave dhe dialogut, krijimi i mjegullës me apo pa qëllim për Ligjin e pagave dhe ligjet tjera dhe humori pa krip e kanë sjellë situatën deri të greva e përgjithshme dhe nëse Ministrja Nagavci dhe Qeveria e kanë vërtetë hallin të nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva, le të nisin me dialogun dhe plotësimin e kërkesave të të sindikatave, që janë në kuadër të BSPK-së” , ka deklaruar Jasharaj.
Jasharaj ka thënë se as Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), si përfaqësuese e shumicës së Federatave sindikale, as SBASHK-u si përfaqësuese e të punësuarve në tërë sektorin e arsimit dhe në shumë nga institucionet e kulturës, nuk kanë qenë të kyçur as edhe një herë në punën e komisionit hartues të Ligjit të Pagave.
Po ashtu, sipas tij, as edhe një herë nuk e kanë pranuar zyrtarisht versionin final të këtij ligji.
“Kërkuam me muaj takime, u organizuan edhe veprime sindikale me protesta e grevë njëorëshe për ta nxitur Qeverinë për dialog e marrëveshje dhe ajo nuk bëri as edhe një milimetër angazhim dhe pikërisht një ditë a dy para se BSPK-ja të shpallte grevën e përgjithshme Ministri Sveçla doli me deklaratën se e paska nisur për proceduara Ligjin e ardhshëm të pagave. Kemi të drejtë të dyshojmë se kjo u bë për t’u krijuar mjegull dhe hamendje të njerëzit”, thuhet në komunikatën për media.
Ndërsa, Nagavci gjatë konferencës për media ka thënë se greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim i dëmton nxënësit.
Sipas saj, MASHTI ka ndërmarrë një sërë veprimesh deri tash që ka plotësuar kërkesa të mësimdhënësve dhe se po punon në vazhdimësi për këtë.
Sa i përket Ligjit për Paga, Nagavci ka thënë se nuk mund të japë afate se si do të arrijë në miratim. Tha se ministria është e hapur për bisedime me SBASHK-un, por theksoi se kërkesat e sindikatës po bëhen për presion.