Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Kulturës së Republikës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, ka theksuar se mësimdhënësit nuk do të hyjnë në test me shkrim për njohuritë e tyre.
Ai ka thënë se Ministria e Arsimit duhet të shtojë inspektorët në shkolla, që të shohin më afër procesin e mësimit.
Jasharaj e ka kundërshtuar testin me shkrim, dhe e ka konsideruar degradim për arritjet e tyre, për fakultetin që e kanë kryer dhe për provimet që kanë dhënë.
Ai është shprehur se nuk ka ndonjë informatë zyrtare sa i përket pakos të ndryshimeve legjislative në të cilën parashihet licensimi i mësimdhënësve.
“Nuk kemi ndonjë informatë zyrtare, mirëpo në opinion po krijohet një mëdyshje për dy çështje e para për vlerësim dhe testim i njohurive. Konsideroj së janë dy çështje të ndara. SBASHK-u edhe në vitet e kaluara kur është përmendur nga kushdo qoftë test me shkrim i njohurive të mësimdhënësve të Kosovës, kemi reaguar arsyeshëm ngase e konsiderojmë që është degradim për arritjet e tyre dhe gjithë studimet që kanë bërë dhe gjithë provimet që kanë dhënë dhe do të ishte degradim për vetë fakultetin e edukimit që kanë bërë”, ka deklaruar ai.
Kreu i SBASHK-ut më tej ka shtuar se duhet të forcohet departamenti i inspektorëve në MAShTI.
“Ne kemi insistuar në takime me MASHT-in që të forcohet departamenti i inspektorëve, që ata shkojnë në klasa dhe nga afër të shohin punën edukative – arsimore dhe të u ndihmohet atyre që të largojnë ndonjë të metë që kanë. Ne angazhohemi për të dhe jemi kundër që të ketë ndonjë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve është fjala për mësimdhënësit që janë në proces dhe do të u përtërihet licenca e punës”, potencoi ai.
Ministria e Arsimit ka njoftuar se është duke përgatitur një pako të ndryshimeve legjislative të cilat ndikojnë në cilësi të arsimit, përkatësisht mësimdhënies dhe mësimnxënies, dhe në këtë pako ndodhet edhe draft-UA për licensimin e mësimdhënësve.