Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se në mbledhjen urgjente të së shtunës, një numër i anëtarëve që janë përfaqësues të të punësuarve nga çerdhet deri në universitet, kanë theksuar pakënaqësitë në tërë sistemin arsimor.
Jasharaj ka thënë se në mungesë të dialogut me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u shtohen akoma më shumë pakënaqësitë.
“Ajo (ministrja Nagavci) quditërisht e mban inatin nga greva e vitit 2022, dhe po ju them me plot përgjegjësi që kemi bërë kërkesa e lutje, nuk është takuar me ne, me arsyetimin se gjoja paska shumë angazhime brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Jasharaj në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini.
Ai ka thënë se pritet të mbajnë një “protestë modeste” me 1 Maj që konsiderohet si “Dita e Punëtorve”.
“Çështja është se puntorët e arsimit u zhgënjyen shumë, kishin pritje tjera dhe në mungesë të dialogut, me fajin e Qeverisë, kemi dërguar edhe shkresa duke kërkuar që koeficienti të jetë së paku 130 euro. Me argumente që kjo vlerë nuk do t’i bënte më të pasur puntorët e arsimit, por do t’ju ndihmonte në përballjen me sfidat e kohës dhe me çmimet që dinë vazhdimsht të ngritën”, ka thënë ai.
Kreu i SBAShK-ut është shprehur se Qeveria e Kosovës “ka goditur” edhe në një tjetër element shumë të rëndësishëm të tyre.
“Në Ligjin për Skemat Pensionale nuk i’u kishin pranuar puntorëve të arsimit, vitet e 90-ta, si kontributdhënëse ngase ata nuk ishin ndalur për asnjë qast, ku punonin në institucionet shkollore ku mundeshin apo në shtëpi-shkolla. Me ndryshimet në Skemat Pensionale, uroj të është bërë pa qëllim, pa ndonjë tendencë, të fshihet tek neni 8 pika 6. Me fshirjen e saj do të thotë se vitet e 90-ta nuk konsiderohen më kontributdhënëse dhe kjo do t’i dëmtoj shumë puntorët e arsimit sepse nuk do të arrijnë t’i kenë 15 vite kontributshënëse”, ka shtuar ai.
Po ashtu, Jasharaj ka theksuar se shkollat e vendit nuk i kanë kushtet e duhura dhe se këto shkolla nuk ngjasojnë fare me shkollat e këtij shekulli, duke i kërkuar kështu më shumë projektorë e llaptopa sesa shkumësa.
Madje ai ka kërkuar nga Qeveria që të mos përsëritet viti 2022, ku pala e dëmtuar ishin nxënësit, derisa ka potencuar se kërkesa e tyre, siç e cilësoi ai është shumë njerëzore, e që ajo është të kenë dialog me ministren Nagavci.
Jasharaj ka treguar se kanë pasur një takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati në vitin 2022, ku kanë kërkuar që të ketë përmirësime në platformën “E-Kosova”.