Ish-kryetari i Skenderajit, Bekim Jashari ka njoftuar se së bashku me gjeneral Kudusi Lame kanë marrë pjesë në përurimim e parkut memorial të dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Shajkoc të Podujevës.
Jashari ka thënë se ky park memorial i dëshmorëve simbolizon “heroizmin dhe sakrificën e popullit tonë për liri dhe pavarësi”. Ai ka shtuar se kjo vizitë ishte e organizuar në nder të festave të Nëntorit.
“Para të pranishmëve deklarova që investimi në këtë park ku gjinden emrat e heronjve Hasan Ramadani, Ilir Durmishi dhe martirëve të këtij fshati që dhanë më të shtrejtën jetë për Liri është investim në historinë tonë në njerën anë por edhe dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë”, ka shkruar komandanti i FSK-së.
Jashari ka theksuar se ekzistimi i komplekseve të tilla anëkënd Kosovës “është tregues i qartë për të dëshmuar se kush ishte agresori dhe kush bëri krime në Kosovë”.
Mes tjerash Jashari ka theksuar se në këtë manifestim ka kërkuar “që në jetësim të amanetit të të parëve tonë, të bëhemi bashkë sepse luftën e fituar falë gjakut të derdhur dikur, nuk guxojmë ta humbim sot në tavolinë”.