Në vazhdën e shumë reagimeve për shkak të dënimit nga Gjykata Speciale, të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa, me 26 vjet burgim, ka reaguar edhe djali i dëshmorit, Hamzë Jashari, Bekim Jashari.
Dënimi i ish-komandant “Calit”, sipas Jasharit, do të thotë se lufta e UÇK-së ende nuk ka përfunduar dhe se “luftën e fituar me gjak, falë dëshmorëve, martirëve e luftëtarëve të lirisë, sot po e humbim fatkeqësisht, dhe kjo pasi nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta”.
Sipas tij, dënimi i Mustafës vjen si pasojë e vendimeve të gabuara të politikanëve të Kosovës dhe nga propaganda serbe.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë, në njërën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh, përderisa ne dhe ‘akademikët’ tonë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë”, ka thënë ai.
“Kjo që po ndodh sot a është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë. Sot të gjithë jemi UÇK, sot nuk duhet të jemi të asaj apo kësaj partie, sot është vonë për të mos u bërë e pamundur nesër, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare të njohur nga aleatët tonë ndërkombëtarë”, ka vijuar ai.
Ish-komandant “Cali”, sipas Jasharit, po dënohet “në emër të misioneve serbo-sllave për të barazuar krimin me viktimën, pra kriminelët e Serbisë që edhe sot shëtitin lirshëm, po tentojnë t’i barazojnë me çlirimtarët tonë”.