Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia janë shumë afër marrëveshjes për energjinë, e cila pritet të nënshkruhet javën e ardhshme.
Në një konferencë për media, Kurti ka theksuar se nuk do të ketë asgjë shtesë në marrëveshje përveç katër shërbimeve si, vendosja e matësve të energjisë, mirëmbajta e matësve, faturimi dhe inskanimi i energjisë elektrike në katër komunat veriore të Mitrovicës.
“Ditët në vijim të javës së ardhshme janë vendimtare për të parë a do të bëhet finalizimi i dakordimit për nisjen e zbatimin e Udhërrëfyesit të energjisë, andaj duhet të kemi shumë kujdes, as me hamendësime as me gjysmë të vërteta ta dëmtojnë procesin”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, marrëveshja për energjinë nuk lidhet me liberalizimin e vizave, kurse për këtë proces i pari i qeverisë ka thënë se Kosova i ka përmbushur 95 nga kërkesat e BE-së qysh më herët.
“Kjo marrëveshje nuk lidhet me liberalizimin e vizave, ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe e kemi rregulluar në masë të konsiderueshme imazhin e Kosovës, që për mua është më i miri që nga shpallja e pavarësisë”, shtoi ai.
Kryeministri tha se nuk mund ta japë një afat se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Megjithatë, ai është shprehur i bindur për kushtet që Kosova ka përmbushur dhe imazhin e mirë që ka krijuar dy vjetët e fundit.
“Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret dhe e kemi rregulluar në masë të konsiderueshme imazhin e Kosovës, i cili për bindjen time të fuqishme është më i miri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës me stabilitet institucional me rritje ekonomike”, potencoi Kurti.
Liberalizimi i vizave, Kurti: S’mund të jap datë
Kryeministri Kurti është deklaruar sot, lidhur me raportimet për çështjen e liberalizimit të vizave dhe Samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet më 23 qershor.
Kurti ka thënë se beson që imazhi i Kosovës në masë të konsiderueshme është rregulluar dhe kjo do të duhej edhe të reflektonte në qëndrimin dhe vendimin e BE-së, respektivisht të vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave.
“Ne moti i kemi plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave. Gjithmonë është theksuar problemi me imazhin e Kosovës, e gjatë këtij viti edhe aty kemi punuar, dhe organizatat ndërkombëtare kanë dëshmuar se nuk është imazhi i para dy viteve dhe shpresoj se kjo të reflektojë në vendimin e vendeve të BE-së”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, nuk ka dhënë ndonjë datë se kur qytetarëve të Kosovë nuk do t’iu kufizohet më lira e lëvizjes.
“Nuk mund të flas në emër të tyre, e me data se kur do të liberalizohen vizat, në atë samit a në këtë konferencë sepse nuk është çështje e jona. Po bëjmë me krejt çfarë dimë e mundemi detyrat e shtëpisë, shpresojmë në më të mirën, por nuk mund të flasim në emër të tyre”, u shpreh kryeministri.