Këtë të mërkurë në studion e Radio Dukagjinit, Idriz Pllana, Ismet Muriqi dhe Elvira Zogaj, u bashkuan për të pritur telefonata nga dëgjuesit e tjerë që tregojnë për Radar në vende të ndryshme.
Përgjatë 30 minutëshit të parë në emision, plotë dëgjues patën mundësinë që të inkuadrohen për bashkëbisedim dhe batuta, që vijnë natyrshëm dhe gjithsesi, i shtojnë hijeshinë programit.
Ndërsa, në pjesën e dytë të emisionit, me dëgjuesit në studio, programi u rikthye me rubrikën “Koha për ty” kur njerëz që janë nën shoqërimin e valëve të Radio Dukagjinit, kanë mundësinë të thërrasin dhe të ndajnë historitë e tyre që tregojnë për gjendjen momentale që kanë kaluar apo po kalojnë.
Gjashtë minuta kohë u rezervuan për telefonuesit, ku i pari ishte Fadili i cili shfrytëzoi rastin për të përshëndetur Ismetin, dëgjuesin që ishte në studio, dhe për të falënderuar emisionin Radar për mundësinë e bashkimit të dëgjuesve mes tyre.
Përgjatë këtyre minutave një dëgjuese ka treguar edhe për një rast kur dikush i panjohur po përpiqet të përfitojë nga vdekja e një vajze të re shqiptare, 18-vjeçare, e cila ka vdekur në aksident në Gjermani, dhe i është hapur një “GoFundMe” për mbledhjen e parave, kinse si ndihmesë familjes për të sjellë trupin e saj në Kosovë, pa kërkesën e familjes.
“Koha për ty” është një rubrikë ku dëgjuesit kanë ndarë historitë e tyre më të trishtuara, vetëm që të përcjellin forcën e tyre për të tjerët që ndoshta, kanë nevojë për mbështetje.
Elvira Zogaj, dëgjuesja që ishte e pranishme në studio, e cila në minutat e fundit, kërkoi dy minuta për të ndarë me dëgjuesit një shkrim për ëndrrën e saj për t’u bërë police dhe për të bërë krenarë babin e saj, invalid i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me sytë që i rrjedhnin lotë, Elvira arriti të përcjellë emocione të forta tek të pranishmit në studio dhe dëgjuesit e shikuesit e “Radar”-it, duke treguar dashurinë e saj për këtë institucion dhe zhgënjimin e saj për mos-pranim pas tri herë konkurrim.
Kjo ishte dita e tretë që dëgjuesit patën mundësinë të bashkëmoderojnë në emision, ndërkohë që java e dëgjuesve do të vazhdojë deri të premten.