Java e Minatorëve, Kurti: Trepçën ta kthejmë në një pasuri minerare

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të manifestimit “Java e Minatorëve” ka thënë se synohet që "Trepça" nga një gjigant i fjetur të kthehet në një pasuri minerare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Manifestimi tashmë tradicional “Java e Minatorëve” ka filluar të hënën në Stantërg, në shenjë përkujtimi të 34-vjetorit të grevës historike të minatorëve të Trepçës, e cila pati lëkundur themelet e shtetit të atëhershëm të Jugosllavisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me këtë rast ka thënë se nga një gjigant i fjetur, synojnë që “Trepçën” ta kthejnë në një pasuri minerare.

Të pranishëm në këtë manifestim ishin autoritete të larta shtetërore, komunale, udhëheqës të institucioneve, ish-pjesëmarrës të grevës së lavdishme, minatorë, etj.

Kreu i ekzekutivit, duke kujtuar ngjarjet e 34 vjetëve më parë, ka theksuar se komuniteti minerar i Mitrovicës me minatorët e Trepçës u kthye nga një grup punëtorësh prej djersës së të cilëve ndërtohej në të gjithë Jugosllavinë, në një kolektiv profesional të organizuar politikisht, nga i cili filloi edhe shpërbërja e Jugosllavisë.

Sipas tij, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ajo të kthehet në burim pasurish minerare.

Ai ka thënë ndër të tjera se toka dhe nëntoka e Kosovës janë fati i përbashkët i të gjithëve, ndërsa minatorët janë në qendër të kësaj historie, të tashmes dhe të ardhmes së përbashkët.

“Derisa e kujtojmë grevën e vitit 1989 të minatorëve të Trepçës, 34 vjet më pas, duke kujtuar kapacitetet e atëhershme të saj dhe intensitetin e nivelit të punës sot, sfida e të gjithëve për ‘Trepçën’ dhe posaçërisht e qeverisë, është që nga një gjigant i cili konsiderohet i fjetur, ‘Trepça’ të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës të kësaj ndërmarrjeje përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore. Toka dhe nëntoka jonë janë fati ynë i përbashkët, ndërsa minatorët janë në qendër edhe të historisë tonë, por edhe të së tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u shpreh të jetë krenare me arritjet e “Trepçës” gjatë dy viteve të fundit.

Ajo premtoi mbështetjen e qeverisë për “Trepçën” edhe në të ardhmen, sidomos në modernizimin e teknologjisë.

“Ne gëzohemi dhe jemi krenarë me arritjet e ‘Trepçës’ gjatë këtyre dy viteve të fundit dhe zotohemi se do të vazhdojmë të përkrahim ‘Trepçën’ në mënyrë që teknologjia e saj të modernizohet, performanca e saj të rritet, dhe po ashtu mirëqenia e Mitrovicës dhe mbarë Kosovës të rritet”, ka theksuar Rizvanolli.

Enis Abdurrahmani, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes “Trepça”, ka potencuar se greva e minatorëve në kontekstin historik mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, paqësore për të mbrojtur ekzistencën e shqiptarëve, dhe si rezistencë e suprimimit të autonomisë së vendit.

“Në kontekstin historik greva e minatorëve të ‘Trepçës’ mund të cilësohet si rezistencë e dyfishtë, fillimisht si rezistencë aktive paqësore për të mbrojtur ekzistencën e popullit shqiptar në periudhën e okupimit klasik nga Serbia, dhe së dyti si rezistencë e suprimimit arbitrar të autonomisë së Kosovës”, është shprehur Abdurrahmani.

Se greva e minatorëve të “Trepçës” ishte e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale porse politike, e tha kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza.

“Për mua kjo ngjarje është edhe emocion, sepse si ish punëtor i Kombinatit ‘Trepça’, si ish-pjesëmarrës i grevave të minatorëve, normalisht se është ndjenjë dhe emocion. Ka qenë ndër grevat e para që nuk ka përmbajtur kërkesa sociale, por politike”, ka thënë ai

Në anën tjetër, Gëzim Kalaja, kryetar i Sindikatës së minatorëve të Shqipërisë, ka deklaruar tri gjëra për të cilat tha se minatorët duhet të angazhohen dhe kërkojnë.

Ai përmendi kontratën kolektive, ngritjen e pagave dhe sigurimin, si dhe moshën e pensionit, për të cilat tha se minatorët duhet të luftojnë.

“Do deklaroj tre gjëra që ju duhet t’i keni: duhet të luftoni për lidhjen e kontratës kolektive që është Kushtetutë për ju, për ngritjen e pagave e sigurimin teknik dhe për moshën e pensionit dhe ngritjen e pagesës së pensionit”, tha ai.

Ndryshe, me rastin e këtij përvjetori, sindikata e punëtorëve të “Trepçës” ka organizuar aktivitete të ndryshme, të cilat do të mbahen deri më 28 shkurt./KSP.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika