Varrimi i Liridona Ademajt, ishte ballafaqimi i fundit i familjes së të ndjerës, me Naim Murselin i akuzuar për vrasjen e saj.
Pak kohë nga ky moment, Naim Murseli ishte arrestuar e dërguar në paraburgim, si i dyshuari kryesor për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Javën e ardhshme, familjes së Liridonës, do t’i duhet të përballet edhe njëherë por tash në gjykatore në seancën fillestare ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokalles e Tom Dodajt.
Këtë e ka konfirmuar Gjykata Themelore në Prishtinë, duke treguar se gjykimi mbahet me 27 janar.
“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M., G.P., K.K., dhe T.D. është caktuar të mbahet me datë 27 janar 2025, në ora 11.00″.
Në këtë seancë Murseli e të akuzuarit e tjerë, e kanë mundësinë që të deklarohen rreth fajësisë, pas leximit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në një konferencë për media, javën e kaluar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj Muselit dhe tre personave të tjerë, për vrasjen e Liridona Ademajt.
Prokuroria e edhe familja e viktimës thanë se shpresojnë që procesi gjyqësor të nisë sa më shpejtë, e të akuzuarit të marrin dënimin e merituar.
Pasditen e 29 nëntorit të 2023-s, Naim Murseli pasi darkoi me tani të ndjerën Liridona Ademaj dhe dy fëmijët e tyre, 4 e 6 vjeçar, pas marrëveshjes paraprake njoftoi Granit Plavën me shenja të dritave të veturës se janë ata në rrugë.
Sipas aktakuzës, Plava, befas del përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ndalon dhe fik motorin e veturës dhe në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, e pastaj Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.