Jehona Lushaku emërohet nënkryetare e komunës së Prishtinës në vend të Donjeta Sahatçiut

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë vendim për ristrukturim të kabinetit qeverisës të kryeqytetit.

Ai ka njoftuar përmes një postimi në Facebook për ndryshimet që ka bërë brenda kabinetit qeverisës, teksa bëri të ditur se Jehona Lushaku – Sadriun, e ka emëruar nënkryetare të kryeqytetit, në vend të Donjeta Sahatçiut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Rama ka potencuar se ka ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga nënkryetarja Donjeta Sahatçiu.

“Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësojë e modernizojë institucionet e kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, Donjeta Sahatçiu nga pozita e nënkryetares së kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, tha ai.

“Në funksion të përshpejtimit të transformimit të kryeqytetit dhe avancimit të standardeve të ndërtimit dhe sigurisë së qytetarëve, kam vendosur që të themeloj Drejtorinë për Transformim. Në krye të saj, kam emëruar arkitektin e njohur,  Ilir Murseli. Kjo Drejtori do të ketë në fushëveprim të saj edhe zhvillimin e projekteve madhore, përfshirë përgatitjet infrastrukturore për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030”, shkroi Rama.

Në fushën e funksionimit dhe menaxhimit më të mirë të sektorëve të Planifikimit e Urbanizmit, i pari i kryeqytetit ka marrë vendim që të bashkojë këto dy Drejtori në një Drejtori të vetme, në krye të së cilës do të jetë arkitekti i njohur, Arbër Sadiki.

“Dua të falënderoj drejtoren e deritanishme të Planifikimit Strategjik, Mimoza Sylejmani, për punën dhe përkushtimin e saj profesional. Sylejmani ka marrë përgjegjësinë e këshilltares për planifikim brenda kabinetit tim”.

Më tutje, Drejtoria e Pronës dhe Drejtoria e Kadastrit do të shkrihen në një Drejtori të Pronës dhe Kadastrit, e cila do të udhëhiqet nga Doruntina Maloku. Ndërsa, drejtori i deritanishëm i Kadastrit, Donat Lushaku, do të emërohet në pozitën e zëdhënësit të kryeqytetit.

“Pas lirimit nga detyra të drejtorit të Shërbimeve Publike, sot kam emëruar Bekim Brestovci, një profesionist me përvojë shumëvjeçare në Gjermani dhe Kosovë, si drejtor të ri të Shërbimeve Publike. Pres nga ai që të ndërmarrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme për t’i dhënë fund problemit të mbeturinave dhe të gjitha çështjeve tjera që ndërlidhen me fushëveprimin e kësaj drejtorie”, tha ai.

Një çështje tjetër që po preokupon shumë qytetarët e Prishtinës dhe ende nuk i është dhënë zgjidhje, janë qentë endacakë.

“Andaj, sot kam kërkuar nga Drejtori për Siguri dhe Emergjenca që të ndyshojë gjendjen në mënyrë substanciale deri në fund të këtij viti. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, për mua është një prej elementeve më të rëndësishme të qeverisjes”.

Procesi i transformimit të kryeqytetit, sipas Ramës, kërkon punë e përkushtim të jashtëzakonshëm.

Ai thotë se ky është një proces i gjatë në të cilin kërkohet konsistencë, vendosmëri dhe profesionalizëm.

“Ky është ristrukturimi i parë i qeverisjes në kryeqytet në të mirë të Prishtinës dhe qytetarëve të saj, pa dallim”, përfundoi Rama.

Ditë më parë, i pari i kryeqytetit ka shkarkuar drejtorin e Shërbimeve Publike nga radhët e PDK-së, Ilirik Musliu. Shkarkimi i tij sipas Musliut kishte ndodhur pa paralajmërim, madje po atë ditë Rama kishte vlerësuar pozitivisht punën e tij me anë të një postimi.

Pas shkarkimit të Musliut, kishte reaguar e dyta e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, duke thënë se veprimi i Ramës ishte vetëm një hakmarrje për rastin “Badovci”.

Këto shkarkime dhe emërime janë indikator që koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet është para shpërbërjes.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika