Mjete mbrojtëse për gazetarët që raportojnë nga terrenet për rrezikshmëri për ta u janë dhuruar nga Organizata “Free Press Unlimited – FPU”.
Me iniciativë të Zyrtares Ligjore të European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, AGK-ja ka pranuar 14 jelekë antiplumbë, helmeta dhe jo vetëm.
“Pjesa e parë e këtij donacioni që përmban 14 jelekë antiplumbë, 16 helmeta dhe 17 pako për ndihmë të parë, është pranuar sot nga Drejtorja Ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe Zyrtarja Ligjore e ECPMF-së, Flutura Kusari. Teksa pritet që brenda muajit të arrijë edhe pjesa e dytë e këtyre mjeteve”, thuhet në njoftim.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) bën të ditur se shpërndarja e pajisjeve do të bëhet varësisht nga situata në vend.
“Shpërndarja e pajisjeve mbrojtëse për mediet do të bëhet duke marrë parasysh nivelet e rrezikut në vend. Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në koordinim me ECPMF-në dhe FPU, do të bëjë shpërndarjen e jelekëve me mbishkrimin PRESS për mediet qendrore dhe lokale, të cilat raportojnë nga veriu i vendit”, thuhet në njoftim.
Gazetarët ishin viktima të sulmeve në veri. Përpos sulmeve fizike, atyre iu dëmtuan edhe mjetet.