Fatbardha Emini, të dielën e 29 janarit ka njoftuar për dorëheqjen e saj si drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë.
Kjo nën pretendimet se “arsimi nuk është prioritet i këtij vendi”.
Kështu ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se është angazhuar maksimalisht që të ofrojnë kushte më të mira dhe mbështetje për nxënësit e mësimdhënësit, me qëllim të një arsimi më cilësor dhe gjithëpërfshirës, e po ashtu edhe për rend dhe siguri.
“Përkundër kësaj, ishte një vit me shumë kërkesa e me përplot sfida, pothuajse si çdo Komunë në Kosovë. Për fat të keq ende nuk është arsimi prioritet i këtij vendi”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se vitin 2023 e kanë planifikuar më mirë dhe konsiderojnë se do të jetë pak më i frytshëm si në ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës shkollore, ashtu edhe me mjete pune e furnizime didaktike, aktivitete të tjera, për të cilat ka thënë se kanë ndarë buxhetin e nevojshëm dhe kanë lënë një planifikim më të mirë por, sipas saj, jo të mjaftueshëm.
“Megjithëkëtë, prapë këto, nuk janë që i zgjidhin problemet dhe kërkesat që i kanë shkollat dhe nxënësit, do të duhet një përkushtim më i madh i politikës qendrore dhe lokale karshi nevojave, kërkesave dhe problemeve në arsim” – është shprehur ajo.
Po ashtu, ajo ka thënë se një nga sfidat që po e përcjell arsimin në Komunën e Vitisë, e që sipas saj është e paarsyeshëm karshi dëmit që po shkakton te nxënësit, është që edhe në vitin 2023, mësimi do të mbahet me 4 ndërrime në shkollën “Halil Alidema” në Pozheran.
“Përkundër shumë kërkesave në drejtim të Ministrisë ende zvarritjet po vazhdojnë. E ndiej, të paktën obligim moral, që të mos vazhdoj në një ambient të tillë ku arsimi nuk trajtohet me prioritet”, ka thënë ajo.
Sipas saj, sukseset në sektorin e arsimit, e në veçanti puna e mësimdhënësve dhe rezultati i nxënësve do të jenë ato që ajo do të vazhdojë t’i përcjellë me kënaqësi.