Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve, Besim Curri, ka dhënë dorëheqje pas dyshimeve se ka ofruar ndihmë juridike pa e pasur licencën e avokatit.
Dorëheqja e tij është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
“Bazuar në pretendimet e dhëna në këtë emision, sot në mëngjes, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Behar Ejupi, me t’u paraqitur në zyrat e OAK-së, ka ftuar në takim drejtorin Ekzekutiv, nga i cili ka kuptuar se i njëjti ka ofruar dorëheqjen e tij. Oda e Avokatëve të Kosovës siguron të gjithë anëtarësinë e saj dhe opinionin e gjerë se do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallim, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi, dhe do të mbështesë profesionit e avokatit në kuadër të misionit të saj, kushtetues dhe ligjor”, thuhet në komunikatë.
Dorëheqja e Currit, vjen pas raportimit të mediumit “Betimi për Drejtësi”, të cilët përmes hulumtimit të titulluar “Mashtrimet e në emër të avokatëve”, kishin treguar se Curri ka ofruar ndihmë juridike pa e pasur licencën e avokatit.
Oda e Avokatëve të Kosovës ka siguruar të gjithë anëtarësinë e saj dhe opinionin e gjerë se do të jetë në shërbim të të gjithëve pa dallim, gjithmonë duke respektuar ligjet në fuqi, dhe do të mbështesë profesionit e avokatit në kuadër të misionit të saj kushtetues dhe ligjor.