Në përgjigje të sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, Izraeli ka dërguar tanke dhe ushtri në Gazë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se qëllimi është ta “çmontojë” Hamasin dhe t’i sjellë pengjet në shtëpi. OKB-ja ka bërë të ditur se më shumë se një milion njerëz janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre dhe qindra mijëra të tjerë nuk po mund të gjejnë ushqim dhe ujë të mjaftueshëm për të mbijetuar.
Aksioni ushtarak në terren pasoi tre javë sulme ajrore të shoqëruara nga një “rrethim i plotë” i Gazës nga Izraeli, me ministrin izraelit të Mbrojtjes që deklaroi: “Nuk do të ketë energji elektrike, as ushqim, as karburant”.
Më shumë se 1.200 izraelitë dhe shtetas të huaj janë vrarë gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor. Më shumë se 11 mijë palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore dhe operacionet izraelite që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të drejtuar nga Hamasi.
Sulmet ajrore
Ka pasur qindra sulme ajrore izraelite çdo ditë në të gjithë Gazën, ku Izraeli pretendon se ka përdorur më shumë se 10 mijë bomba dhe raketa, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesa dhe infrastrukturë.
Zyrtarët e Gazës kanë njoftuar se më shumë se 50% e njësive të banimit në Gazë janë shkatërruar, janë të pabanueshme ose janë dëmtuar që nga fillimi i konfliktit.
Sipas analizës së të dhënave satelitore nga Corey Scher i CUNY Graduate Center dhe Jamon Van Den Hoek i Universitetit Shtetëror të Oregonit, rreth 743 mijë ndërtesa në të gjithë Rripin e Gazës kanë pësuar dëmtime. Por, Gaza Veriore dhe qyteti i Gazës e kanë mbajtur barrën kryesore. Rreth gjysma e ndërtesave në dy rajonet veriore besohet se janë dëmtuar.
Rreziku nga uria
Agjencitë e OKB-së që ofrojnë strehim dhe ndihmë humanitare në Gazë kanë paralajmëruar se mund të detyrohen të ndalojnë operacionet për shkak të mungesës së karburantit.
Izraeli ka thënë se do të lejojë 70 mijë litra karburant në ditë që të hyjnë në Gazë nga Egjipti. Karburanti do të përdoret për shpërndarjen e ushqimit, gjeneratorët në spitale, objektet e ujit dhe rrjetin e kanalizimeve, strehimoret dhe shërbime të tjera kritike. Por, OKB-ja ka thënë se kjo sasi është shumë nën minimumin e nevojshëm për funksionimin e operacioneve thelbësore humanitare.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së ka bërë të ditur se furnizimet me ushqim dhe ujë janë “praktikisht inekzistente” dhe njerëzit në Gazë tani po përballen me rrezikun e urisë.
Ushqimet kryesore si mielli, vezët, produktet e qumështit dhe uji në shishe tani nuk janë të qasshme në shumicën e dyqaneve dhe të tregjeve dhe gatimi i ushqimit bazë është i vështirë për shkak të mungesës së karburantit. OKB-ja ka raportuar se njerëzit po ushqehen me kombinime të pazakonta si qepa e papërpunuar dhe patëllxhani i papjekur.
OKB-ja ka shtuar se asnjë furrë buke nuk është e hapur në veri të Gazës, sepse ato ose janë dëmtuar ose nuk kanë karburant, miell dhe ujë të pastër.
Pa ujë
Izraeli ka ndërprerë pjesën më të madhe të furnizimit të tij me ujë të pastër në Gazë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor dhe ka shqetësime në rritje për dehidratimin dhe përhapjen e sëmundjeve të shkaktuara si pasojë e përdorimit të ujit nga burimet e ndotura dhe mungesës së shërbimeve sanitare.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, ka paralajmëruar se “njerëzit do të fillojnë të vdesin pa ujë”.
OBSH-ja ka vendosur kërkesën minimale për nevojat ditore për ujë në 100 litra për person – për të mbuluar pijen, pastrimin, gatimin dhe larjen. Para konfliktit, konsumi mesatar në Gazë ishte rreth 84 litra për person, ku vetëm 27 litra konsideroheshin të përshtatshme për përdorim njerëzor.
Aktualisht, OBSH-ja vlerëson se konsumi mesatar i ujit në Gazë është vetëm tri litra për person.
Shumë puse, impiante shkripëzimi për të siguruar ujë të freskët dhe stacione pompimi të ujërave të zeza janë mbyllur për shkak të mungesës së karburantit. UNWRA-ja ka bërë të ditur se 70% e njerëzve në jug nuk kanë qasje në ujë të pastër dhe ujërat e zeza të papërpunuara rrjedhin në rrugë në disa zona.
Spitalet në krizë
Objektet e kujdesit shëndetësor janë dëmtuar në të gjithë Gazën dhe nuk po funksionojnë si rezultat i dëmtimit nga bombat ose mungesës së karburantit. Institucionet e mëdha, si spitalet, kanë gjeneratorë rezervë, por bllokada nënkupton që nuk ka karburant rezervë për t’i përdorur ata, pasi t’u mbarojnë furnizimet ekzistuese.
Rushdi Abualouf i BBC-së ka thënë se pacientët në spitalin më të madh të qytetit të Gazës, “Al-Shifa”, po vdesin, sepse nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë dhe nuk ka mjaftueshëm ilaçe. Ai ka shtuar se nuk ka karburant për gjeneratorët për të furnizuar pajisjet thelbësore, përfshirë inkubatorët.
Dhjetëra foshnja të lindura para kohe janë evakuuar nga spitali “Al-Shifa” i qytetit të Gazës, ku trupat izraelite zhvilluan një operacion “të synuar” në kërkim të infrastrukturës dhe armëve të Hamasit. Izraeli ka akuzuar Hamasin për drejtimin e një qendre komandimi në tunele nën spital, gjë që Hamasi e ka mohuar.
I vetmi spital që është ende në gjendje të pranojë pacientë në Gazën veriore raportohet të jetë spitali “Al-Ahli”, në qytetin e Gazës.
Autoritetet izraelite kanë bërë thirrje për evakuimin e të gjitha spitaleve në Gazën veriore, por Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se ky do të ishte një “dënim me vdekje” për pacientët, duke pasur parasysh se i gjithë sistemi shëndetësor është në kolaps dhe spitalet në jug të Gazës nuk mund të pranojnë më shumë pacientë.
Ndërprerjet e energjisë elektrike
Gaza ka mbetur pa energji elektrike pasi termocentrali i vetëm i saj është mbyllur dhe furnizimet nga Izraeli janë ndërprerë.
Që nga 21 tetori, rreth 80% e ndërtesave, e shkollave dhe e objekteve shëndetësore në Gazë ka të ngjarë të kenë qenë pa energji elektrike. Të vetmet ndërtesa me energji elektrike ishin ato me gjeneratorë, si spitalet dhe strehimoret e OKB-së, por karburanti për shumë prej tyre ka mbaruar tashmë.
Termocentrali i Gazës në Deir al-Balah, në jug të zonës së evakuimit, u mbyll më 11 tetor pasi nuk kishte më karburant.
Kampet e refugjatëve
Sipas OKB-së, pak më shumë se 75% e popullsisë së Gazës – rreth 1.7 milion njerëz – ishin refugjatë të regjistruar përpara se Izraeli të paralajmëronte palestinezët që të largoheshin nga Gaza veriore.
Refugjatët palestinezë përkufizohen nga OKB-ja si njerëz “vendbanimi i të cilëve ishte Palestina gjatë periudhës 1 qershor 1946 deri më 15 maj 1948, dhe që humbën shtëpinë dhe mjetet e jetesës si rezultat i Luftës së 1948-s”. Fëmijët e refugjatëve palestinezë gjithashtu mund të aplikojnë për statusin e refugjatit.
Më shumë se 500 mijë nga ata refugjatë janë zhvendosur tashmë në tetë kampe të mbushura me njerëz në të gjithë Rripin.
Duke qenë se dy nga këto kampe, Jabalia dhe Shati, janë në zonën e evakuimit, kjo ka vënë nën presion të shtuar gjashtë të tjerët.
Pas paralajmërimit të Izraelit për evakuimin e veriut, numri i njerëzve të zhvendosur është rritur me shpejtësi dhe deri më tash mbi 1.7 milionë palestinezë kanë ikur nga shtëpitë e tyre që nga 7 tetori, sipas Kombeve të Bashkuara.
Civilët nuk kanë shumë shpresë për t’u larguar nga Gaza për t’i shpëtuar konfliktit, pasi është lejuar vetëm një evakuim i kufizuar i shtetasve të huaj nëpërmjet Egjiptit.
Para sulmit nga Hamasi, ka pasur vetëm dy vendkalime që lejonin udhëtimin për në Gazë dhe jashtë Gazës – me shumicën e pikave të mëparshme kufitare të mbyllura prej vitesh.
Palestinezëve u ndalohej të largoheshin nga Gaza përmes Izraelit nëse nuk merrnin një leje daljeje të lëshuar nga Izraeli. Lejet kanë qenë të kufizuara për punëtorët e përditshëm, biznesmenët, pacientët e shoqëruesit e tyre dhe punonjësit e ndihmës.
I gjithë kufiri, 60 kilometra i gjatë, me Izraelin ruhet nga një gardh rrethues me zona “të ndaluara” që shtrihen deri në 100 metra nga vetë gardhi dhe vetëm punëtorët e fermave lejohen brenda 300 metrave.
Ata që dëshironin të largoheshin nga Gaza për në Egjipt nëpërmjet kalimit Rafah, duhej të regjistroheshin në autoritetet palestineze disa javë përpara dhe të aplikonin në Egjipt, i cili vendos kufizime në numra dhe ka kontrolle të rrepta sigurie.
Tani, Izraeli ka mbyllur për një kohë të pacaktuar kalimin Erez, ndërsa kalimi kufitar Rafah i kontrolluar nga Egjipti në jug është mbyllur për shkak të sulmeve ajrore izraelite pranë portës në anën palestineze.
Izraeli ka penguar kalimin e ndihmave humanitare, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, nga Egjipti në Gazë.
Gjatë dy dekadave të fundit, në përpjekje për ta kapërcyer bllokadën, Hamasi ka ndërtuar një rrjet tunelesh të cilat i përdor për të sjellë mallra në Rripin e Gazës nga Egjipti, dhe gjithashtu i përdor si një qendër komandimi nëntokësore.
Izraeli ka pretenduar se tunelet përdoren gjithashtu për të kontrabanduar armë. Këto tunele janë vënë shpesh nën shënjestrën e sulmeve ajrore izraelite.
Gjatë një konflikti në vitin 2021, ushtria e Izraelit pati thënë se kishte shkatërruar më shumë se 100 kilometra tunele në sulmet ajrore të saj. Në përgjigje, Hamasi pati pretenduar se sistemi i tuneleve shtrihej në 500 kilometra dhe se vetëm 5% ishte goditur nga ato sulme.