Jo vetëm ajri i ndotur, Obiliqi në hall edhe me zhurmën që vjen nga KEK-u

Qytetarët në Komunën e Obiliqit përveç ndotjes së ajrit po ballafaqohen edhe me zhurmën e madhe që vije nga termocentralet e Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK). Për këtë situatë, ka folur edhe vetë kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, i cili ka thënë se janë duke bërë përpjekje që të gjejnë një kompani kontraktuese që do të merret në mënyrë profesionale për të parë se sa është gjendja faktike e ndotjes së ajrit dhe zhurmës. Ndërsa qytetarët ankohen se ajri i ndotur po shkakton efekte negative në shëndetin e tyre

Qytetarët në Komunën e Obiliqit përveç ndotjes së ajrit po ballafaqohen edhe me zhurmën e madhe që vije nga termocentralet e Korporatës Energjetike e Kosovës (KEK). Për këtë situatë, ka folur edhe vetë kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, i cili ka thënë se janë duke bërë përpjekje që të gjejnë një kompani kontraktuese që do të merret në mënyrë profesionale për të parë se sa është gjendja faktike e ndotjes së ajrit dhe zhurmës. Ndërsa qytetarët ankohen se ajri i ndotur po shkakton efekte negative në shëndetin e tyre.

Po ashtu nga komuna zotohen se janë duke bërë veprimet e nevojshme për të ndaluar këtë dukuri.

“Normalisht që është shqetësues, sidomos kohët e fundit kur ishin edhe temperaturat e nxehta. Gjithashtu kemi edhe shqetësim të jashtëzakonshëm që ka edhe ndotje të zhurmës, përveç të ajrit, edhe në zonën e Shipitullës, Sibocit dhe Hadës, gjë që na shqetëson jashtëzakonisht shumë dhe jemi duke bërë përpjekje që tani ta kemi një kompania kontraktuese e cila do të merret në mënyrë profesionale për të parë se sa është gjendja faktike e ndotjes së zhurmës dhe ajrit”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, drejtori i ambientit në Obiliq, Abdurrahman Krasniqi, derisa ka treguar për rrezikun nga ndotja e KEK-ut, ka kërkuar që edhe ministria përgjegjëse t’i bashkëngjitet kësaj brenge, pasi siç tha ai, KEK-u duhet të reformohet dhe vetëdijesohet sa i përket ndotjeve.

“Rreziku është shumë i madh nga ndotja e KEK-ut dhe ne si komunë, por edhe si drejtori e ambientit, jemi shumë të angazhuar në këtë drejtim. Gjatë muajit të kaluar, por edhe këtij muaji kemi pasur disa reagime ndaj ndotjes së KEK-ut. Njëkohësisht tash jemi angazhuar në mënyrë edhe më profesionale të dëshmojmë edhe ndotjet edhe të ujit dhe të tokës. Kemi iniciuar një procedurë të prokurimit ku po synojmë që ekspertët e jashtëm ose kompanitë e licencuara të vinë dhe të bëjnë matjen e ndotjes së ajrit, por edhe të ujit. Komuna është shumë e përkushtuar, neve e kemi edhe një bashkëpunim, dhe disa kërkesa i kemi dorëzuar edhe në Ministrinë e Ambientin. Kërkojmë që edhe ata t’i bashkëngjiten brengës së komunës dhe qytetarëve të Komunës së Obiliqit, sepse KEK-u duhet të reformohet dhe duhet të vetëdijesohet sa i përket ndotjeve, mos të shkojë ndotja në nivele të larta, për shkak të neglizhimit të ndonjë punëtori ose punëdhënësi”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, janë vetë qytetarët të cilët shprehin shqetësimin e tyre ndaj kësaj situate. Qytetari Tahir Selmani derisa tha se ajri i ndotur po ndikon keq në shëndetin e tyre, kërkoi nga ekspertet përgjegjës të dalin me qëndrim sa i përket kësaj çështje dhe t’i jepet fund këtij problemi.

“Definitivisht e ka efektin negativ, por te pleqtë po ndikon më shumë ajri i ndotur. Ekspertë për këtë punë duhet të dalin me kriteret e veta dhe të dalin me një qëndrim”, ka thënë Selmani.

Edhe qytetari Selim Krasniqi derisa ka thënë se ka përmirësime në këtë drejtim, shtoi se ka pasur mundësi të bëhet më shumë për të ndaluar këtë dukuri.

“Nuk është edhe i mirë ajri, ka gjëra negative ky ajër. Ka zhurmë por më rrallë, kur ka prishje. Është dashur të bëhet diçka më shumë, por siç ka qenë përpara, është më mirë”, ka thënë Krasniqi.

Zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli ka përmendur investimet që ka bërë KEK-u ndër vite, ndërkohë theksoi se kontrata për projektin e elektrofiltrave dhe DeNOx-it ishte lidhur me datë 02.12.2019.

“Projekti do të financohet nga BE-ja përmes fondeve IPA, ky projekt është unik për të dy njësit e TC Kosova B dhe kontrata ka të përfshirë dy projekte si në vijim: Elektrofiltrat, transporti i brendshëm i hirit dhe projektin e DeNOx-it në kaldaja. Kostoja e kësaj kontrate është mbi 77 milionë euro dhe mbulohet nga Zyra e BE-së e cila në fakt është Autoritet Kontraktues i këtij projekti. Projekti sipas kontratës ishte planifikuar të fillojë në vitin 2020 në njësinë B1 dhe në vitin 2021 në njësinë B2. Por për arsye të pandemisë afati ishte shtyrë për një vit. Po për të njëjtën arsye të pandemisë por edhe për shkak të nevojës se konstatuar për intervenime në kaldatë e dy njësive (dilatimeve) projekti ishte shtyrë përsëri dhe parakusht për fillimin e tije ishte investimi i KEK-ut në projektin e dilatimeve në kaldajë. KEK gjatë vitit të kaluar ka përfunduar projektin e dilatimeve të kaldave në njësitë B1 dhe B2 (mbi 15 mil. eur.) i cili ka qenë parakusht për fillimin e projektit të Elektrofiltrave dhe DeNOx nga BE dhe aktualisht KEK është i në pritje për projektin e elektrofiltrave nga BE”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas njoftimeve të fundit nga BE, ky projekt pritet të realizohet ne vitin 2025/2026. /KSP

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika