Vjosa Osmani shfrytëzoi fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës, të enjten, për ta goditur qeverinë dhe Albin Kurtin gati katër vjet pasi mori postin e të parës së shtetit. Presidentja përmendi “luajtjen bixhoz” me aleancat, që cenon mbrojtjen e Kosovës, duke targetuar kështu Kurtin dhe veprimet e tij. “Asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet”, tha ajo.
Osmani, po ashtu, përmendi edhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se ka propozuar që drafti i asociacionit të diskutohet me SHBA-të, në mënyrë që çështja mos t’i lihet as Lajçakut e as të tjerëve që nuk besojnë në pavarësinë e Kosovës. “Fatkeqësisht ky propozim i imi atëherë ishte goditur në mënyrën më të ulët, me lloj- lloj shpifjesh deri tek shpifjet për tradhti kombëtare. E ku jemi sot? Jemi pikërisht në momentin ku po kërkohet e njëjta, pra që draftin ta hartojmë ne. Por, siç dihet, vendimet e duhura duhet të merren edhe në momentin e duhur”, theksoi presidentja.
Po t’i dëgjosh e t’i lexosh këto fjalë, ta merr mendja që po dalin nga goja e një politikaneje parimore, por e cila nuk paska jetuar në Kosovë katër vjetët e fundit. Të krijohet përshtypja që kjo nuk është ajo Vjosa Osmani të cilën e njohim, ajo Vjosa Osmani e cila me zell përkrahu Albin Kurtin thuajse në çdo veprim a vendim. Tash ajo ka zgjedhur të jep këshilla se si do të duhej vepruar, ndërkohë që nuk i ka shfrytëzuar përgjegjësitë e veta kushtetuese për të ndikuar në procese.
Tash, përnjëherë, ajo u kthye në kundërshtare të Kurtit, duke u përpjekur të lahet nga përgjegjësia. Por, një gjë e tillë nuk është kaq e lehtë dhe nuk duhet lejuar. Jo, sepse me vetëdije ishte pjesë e lojës.
* * *
Vjosa Osmani, kalkuluese e njohur politike, ishte vazhdimisht krah Albin Kurtit – edhe kur ai kishte qasje problematike karshi aleatëve. Ajo e mbështeste fort partnerin e vet politik edhe kur ai dhe qeveria e tij nuk zgjedhnin formë as mjete për t’i arritur qëllimet. Osmani ishte në sinkron me Kurtin dhe pushtetin e tij edhe kur ai dhe të tijët sulmonin media dhe gazetarë. Madje, vetë burri i presidentes i cilësonte mediat “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Ajo nuk bëzante kur Kosova vlonte nga kritikat e aleatëve. Ajo nuk nxirrte fjalë nga goja as kur duhej, thua se jetonte në një tjetër botë.
Presidentja Osmani nuk ka reaguar asnjëherë për sulmet e pushtetit ndaj institucioneve të pavarura, ndaj gjykatave dhe prokurorive, gjykatësve dhe prokurorëve. Përkundrazi, ka qenë pjesë e korit qeveritar. Ajo nuk ka reaguar as kur i kërkohej nga media e gazetarë që ta bënte një gje të tillë. Rrinte dhe sodiste, duke i shijuar privilegjet e postit që mban.
Tash, kur mandati i Kurtit është në fund dhe në pozitën e një lojtareje, e cila e ka humbur “lojën e bixhozit”, Osmani po përpiqet të shpëtojë veten. Po përpiqet të shfaqet tjetër nga ajo çfarë e dimë dhe e njohim. Osmani po lyp rrugë për të dalë nga rrethi ku e futi veten me dëshirë dhe vullnet. Por jo, nuk është aq e lehtë. Nuk zgjidhet kjo punë me fjalime patetike e folklorike.
Më shumë sesa goditje ndaj kryeministrit Kurti, fjalimi i presidentes është përpjekje për shfajësim, për mungesën e reagimit të saj. Ajo ka ashpërsuar gjuhën pikërisht tash, në prag të zgjedhjeve, e bindur se e ka të pamundur ta vazhdojë edhe një mandat në krye të shtetit. Ndërkaq, i kishte katër vjet kohë që t’i adresonte shqetësimet dhe mospajtimet. Por, me vetëdije të plotë nuk e bëri një gjë të tillë. Ajo po përpiqet të dalë e pastër nga loja. Por jo presidente, nuk të beson kush. Ku ishe deri tash?