Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është krahasuar me ish-kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, ish-president i Jugosllavisë, e që kishte vdekur në Hagë gjersa po gjykohej për krime kundër njerëzimit, ka thënë ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson.
Vendimi më katastrofal i Putinit sipas Johnsonit është ai kur vendosi të sulmojë Ukrainën.
“Të gjithë ne në qeverinë britanike kemi lexuar esenë e tij për Ukrainën, që e publikoi verën e kaluar. Ai në mënyrë thelbësore e vlerësoi gabimisht Ukrainën. Ishte sikur të lexonit për Sllobodan Millosheviqin që fliste për Kosovën”, ka theksuar Johnson.
Sipas tij, ish-kasapi i Ballkanit, Millosheviq kishte menduar që “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë së madhe dhe atdheu shpirtëror i kombit serb”.
“Mendoj që Putini mendon njëjtë për Kievin dhe origjinën e besimit ortodoks”, ka deklaruar ai për Skynews.
Por, ai ka treguar se këto mendime janë totalisht të gabuara sepse “Ukraina është një kulturë evropiane e lirë dhe e pavarur me identitetin e saj, me ambiciet dhe fatin e saj”.
Johnson, ka përfunduar duke thënë se Putin ka bërë një gabim thelbësor.