Juventusi synon fitoren e nëntë rresht në garën për titull

Gjatë ditës së premte, klubi futbollistik i Seria A, Juventus do të ndeshet me Napolin, kjo ndeshje derbi që hap xhiron e 18-të në kampionatin italian

Të premten (20:45) Juventusi është mysafir i Napolit në ndeshjen derbi që hap xhiron e 18-të në kampionatin italian.

Me shtatë pikë më pak se Napoli dhe në vendin e dytë në tabelë, Juventusi është kthyer fuqishëm pas startit të dobët këtë edicion.

Juve po shfaqet si një nga kandidatët kryesorë për të ndaluar rrugëtimin e Napolit drejt titullit të parë që nga ditët e Diego Armando Maradonas.

Juventusi u largua nga Liga e Kampionëve në mënyrë poshtëruese dhe u përfshi në një skandal të rëndë financiar. Por trajneri Massimiliano Allegri e ka udhëhequr skuadrën drejt tetë fitoreve rresht në Serie A.

Për ta bërë edhe më mbresëlënëse këtë seri, Juventusi nuk e ka pësuar asnjë gol gjatë këtyre tetë ndeshjeve.

Juventusi ka pranuar vetëm shtatë gola në 17 ndeshje.

Napoli nuk e ka fituar vetëm një ndeshjeje në shtëpi këtë edicion, duke barazuar me Leccen. Ka shënuar gola në 11 duelet si në Serie A ashtu edhe Ligën e Kampionëve në “Diego Armando Maradona Stadium”.

Trajneri i Juventusit, Allegri, ka preferuar që presionin ta largojë nga ekipi i tij, për ta bartur te Napoli përpara këtij dueli.

“Është një ndeshje e bukur për ta luajtur. Duhet të luajmë mirë, me entuziazëm dhe dëshirë, por nuk do të jetë duel vendimtar për titullin dhe do të jetë më i rëndësishëm për Napolin”, tha Allegri të enjten.

“Ne kemi ecuri të mirë, por edhe Napoli është gjithashtu në formë. Pra, është ndeshje më shumë e rëndësishme për rivalin sesa për ne”.

Një fitore në Napoli për Juven do të zvogëlonte diferencën me liderin në katër pikë dhe do të fuqizonte një ndjenjë të vërtetë besimi se skuadra torineze mund të ketë shans për të fituar titullin, që nuk e fitoi në dy edicionet e fundit, pasi dominoi futbollin italian për nëntë vjet.

“Dy muaj më parë ne nuk mendonim se mund të arrinim në janar në këtë pozicion. Duhet të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer teknike dhe të luajmë me intensitet sepse përballemi me skuadrën më të fortë në ligë. Nuk e them vetëm unë, por edhe renditja. Napoli ka grumbulluar 44 pikë dhe ka humbur vetëm një herë. Është normale që është favorit nesër”, insistoi Allegri.

Napoli është në krye të Serie A prej tre muajsh dhe ka siguruar që të shpallet kampion i dimrit, pavarësisht se çfarë do të ndodhë në dy ndeshjet e fundit të gjysmës së parë të edicionit.

Skuadra ka fituar 14 nga 17 ndeshjet dhe ka sulmin më të mirë, duke shënuar 39 gola. Ka edhe goldallimin më të mirë. Juventusi ka mbrojtjen më të mirë.

Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti, Napoli, pësoi humbjen e parë javën e kaluar, 1:0 në udhëtim tek Interi.

Megjithatë, Napoli e harroi atë humbje me një fitore 2:0 në Sampdoria për të reflektuar para derbit me Juventusin.

Edhe ndaj Juventusit, Napoli do të mbështetet në nigerianin Osimhen, i cili po vazhdon të shndërrohet në lojtar kyç për trajnerin Luciano Spalletti.

“Ai është shumë i rëndësishëm për ne pasi sa herë është në fushë merr shumë përgjegjësi. Ai përdor të gjitha karakteristikat që ju nevojiten në një ndeshje: gatishmërinë, forcën, gjurmimin, marrjen e lojtarëve. Ai është bërë më i fortë mbi të gjitha për shkak të sjelljes shembullore që ka”, tha Spalletti të enjten për Osimhenin.

“Besoj se është gati edhe për këtë derbi që është i rëndësishëm për dy ekipet. Do të jetë një ndeshje e fortë, sidomos pas paraqitjeve që ka treguar Juve kohët e fundit”.

Napoli i ka fituar tri ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Juventusit dhe një fitore tjetër do ta dërgonte në 10 pikë më shumë në krye të Serie A, përpara ndeshjes së Milanit në Lecce të shtunën. Edhe Milani ka shtatë pikë më pak se Napoli, kurse renditet në pozitën e tretë.

“Edhe pa tetë fitore radhazi, Juventusi është skuadra më e vështirë për t’u përballur, krahas Milanit dhe Interit”, tha Spalletti.

Përderisa Napoli pritet të jetë i kompletuar, Juventusi do të ketë mungesa të rëndësishme, ndonëse disa lojtarë i janë kthyer nga lëndimet.

Po ashtu mungojnë edhe Paul Pogba, Juan Cuadrado, Mattia de Sciglio, Kaio Jorge e Leonaro Bonucci. Sulmuesi i krahut, Federico Chiesa, pritet që për herë të parë të jetë titullar këtë sezon te Juventusi, pas kthimit nga lëndimi që e mbajti gjatë jashtë fushe.

 

Shija e redaktorit

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Të fundit nga rubrika