Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se ka ndërruar jetë ish-ushtari i UÇK-së, Agron Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka theksuar se “Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë më të vëllain Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj”.
“Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme, ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare. Ai kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga presioni i eksplodimit të një rakete të hedhur nga aeroplanët e ushtrisë serbe në bombardimet në fshatin Prilep të Deçanit”, ka shkruar ndër të tjera, Haradinaj.
Vlen të theksohet se Agron Haradinaj, ishte vëllai i Nasim Haradinaj, i cili është i dënuar nga Gjykata Speciale me 4 vjet e tre muaj burgim dhe po mbahet në Hagë.
Mbetet të shihet nëse Gjykata Speciale do t’ia lejojë ardhjen në Kosovë.