Analisti Bekim Kabashi ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për qasjen e saj në këtë fushatë zgjedhore, duke e cilësuar si një fushatë pa premtime konkrete.
Në Debat Plus, Kabashi tha se LVV-ja ka humbur ritmin e ofensivës që e karakterizoi në zgjedhjet e kaluara, duke e quajtur qasjen e tyre të tanishme si një përpjekje për të maskuar dështimet gjatë periudhës qeverisëse.
Sipas tij, LVV-ja po kërkon 500 mijë vota, por ende nuk ka shpjeguar arsyet e kësaj kërkese, duke theksuar se kjo fushatë nuk ofron asnjë program qeverisës të qartë.
“LVV-ja është një subjekt politik që ka qenë në ofensivë vazhdimisht, dhe kjo ka tregu rezultatin që është rritur nga zgjedhjet në zgjedhje. Këtë rast kemi një qasje krejt tjetër për arsye se problemi kryesor është mungesa e performacës në katër vjeçarin saj qeverisëse, dhe tash çfarë mundohet, mundohet me masku me një retorikë e cila është boshe në fushatë elektorale sepse pa premtime konkrete nuk është joshëse për elektoratin LVV-ja vetëm po kërkon 500 mijë vota por se ka zbulu se për çfarë arsye se pse po i kërkon”, ka deklaruar ai.
Kabashi gjithashtu vuri në dukje se LVV-ja, në të kaluarën, ka qenë më konkrete në premtimet e saj, por tani po përpiqet ta mbyllë fushatën me parulla mashtruese.
“Slogani cep më cep është mashtrues për qytetarët e Kosovës… Po mundohet vetëm me këtë parullë ta përfundojë sa më shpejt fushatën elektorale nuk ka bërë as program qeverisës, nuk është herët, LVV-ja në të kaluarën ka qenë konkrete sa i përket premtimeve”, ka deklaruar Kabashi.