PDK-ja me ”Kabinetin për qeverisje të mirë”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nëpërmjet një video-adresimi prezanton vizionin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK)

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar të martën, nëpërmjet një videoadresimi Kabinetin për Qeverisje të Mirë, i cili do të ketë 15 departamente.

Kryetari i PDK-së, që njëherësh do të jetë edhe udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Memli Krasniqi, përmes videoadresimit, tha se KQM është një platformë politike alternative, përballë keqqeverisjes aktuale.

“Partia Demokratike e Kosovës ka një trashëgimi të madhe e domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, ndërsa nga sot, me një frymë të re dhe me shikim kah e ardhmja, ne po vazhdojmë në një rrugëtim të ri dhe tejet të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, atë të shpresës dhe perspektivës.”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, lideri i PDK-së ka shtuar se në një klimë politike kur sfidat janë të forta e qeverisja është e dobët, kur demokracia po rrezikohet dhe e ardhmja po bëhet e pasigurt, e kur mirëqenia e qytetarëve po lëndohet seriozisht nga një ekonomi në rënie, PDK-ja ka vendosur të përgjigjet me një platformë të duhur dhe me një vizion të ri politik, të bazuar në dije dhe kompetencë.

“Ditët e qeverisjes depresive duhet të marrin fund, prandaj e shohim të domosdoshme që qytetarëve t’u ofrojmë një perspektivë të re dhe një zotim të palëkundur për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë së bashku. Për këtë vizion kaq të nevojshëm dhe kaq domethënës, Partia Demokratike po themelon Kabinetin e Qeverisjes së Mirë – me të cilin do të shpalosë politikat alternative të qeverisjes që sot i mungojnë Kosovës, e që i duhen asaj më shumë se kurrë. Përmes këtij Kabineti, ne do të shpalosim para qytetarëve vizionin dhe modelin e qeverisjes së ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK”, ka shtuar lideri i PDK-së.

Krasniqi theksoi se për më shumë se dy vjet, PDK ka qëndruar dinjitetshëm si udhëheqëse e opozitës përballë keqqeverisjes, paaftësisë dhe degradimit të sferës institucionale nga pushteti aktual, duke ngritur tema, duke ekspozuar abuzimin me pushtetin, duke kërkuar llogari nga pushteti, i cili, jo vetëm që s’ka përmbushur premtimet elektorale, por e ka ngulfatur perspektivën zhvillimore të Kosovës.

“Kjo Qeveri e ka humbur çdo momentum të mundshëm për të bërë diçka të mirë e domethënëse për Kosovën. Por, Kosova është atdheu ynë i përbashkët dhe e ardhmja e saj – ashtu siç e ëndërrojmë dhe e meritojmë si qytetarë – është mision që na obligon të gjithëve, pavarësisht përgjegjësive që kemi sot, e që do t’i kemi nesër. Prandaj, nga sot, përpjekjeve tona i shtohet edhe Kabineti per Qeverisje të Mirë, i cili vjen si platformë politike që i del përballë keqqeverisjes dhe u del në krah qytetarëve. Si alternativë, që do të korrektojë qeverisjen aktuale, e do të ofrojë vizionin e qeverisjes së ardhshme. Si pasqyrë konkrete e vizionit tonë politik, se si e mendojmë qeverinë dhe qeverisjen që i duhet Kosovës dhe qytetarëve të saj.”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Kabineti për Qeverisje të Mirë do ti ketë 15 departamente dhe 5 prioritete thelbësore. Ato janë Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar.

Krasniqi tha se këto departamente do të udhëhiqen nga Koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi qytetarëve.

“Në ditët e ardhshme, unë do të prezantojë këto ekipe, që do përbëhen jo vetëm nga personalitete e zyrtarë nga radhët e PDK-së, por edhe nga ekspertë e kuadro që po bashkohen me ne në këtë projekt të përbashkët, për të ndërtuar bashkërisht vizionin për të ardhmen e Kosovës që duam”, ka thënë kryetari Krasniqi.

Për ta shtruar vizionin ekonomik e zhvillimor të PDK-së, KQM do të ofrojë politika dhe alternativa konkrete përmes këtyre departamenteve: Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi; Agjendë të Gjelbër; Transformim Digjital dhe Inovacion; Punë Publike dhe Investime Kapitale; Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe Financa.

Perspektivën alternative të PDK-së në fushën e mbrojtjes, sigurisë kombëtare, rendit dhe ligjit do ta zhvillojnë: Departamenti i Drejtësisë; Departamenti i Punëve të Brendshme, Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale, si dhe Departamenti i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare.

Departamenti për Arsim, Shkencë dhe Kapital Njerëzor, si dhe Departamenti për Kulturë, Sport dhe Turizëm do të zhvillojnë politika qeverisëse me plane e masa konkrete, për të rritur potencialin të rinjve dhe për t’i bërë ata konkurrentë në tregun e punës.

Alternativën e Kosovës së shëndoshë e të mirëqenë, në kuadër të KQM-së do ta zhvillojnë Departamenti për Shëndetësi dhe Departamenti për Përkujdesje Sociale.

Për një Kosovë të integruar në strukturat euro-atlantike, anëtare të NATO-s dhe BE-së, KQM do të ofrojë vizionin e saj përmes Departamentit për Punë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane, dhe Departamentit për Mërgatë dhe Bashkëpunim Ndër-shqiptar.

“Ky rrugëtim që po nis sot brenda PDK-së me Kabinetin për Qeverisje të Mirë, do të vazhdojë me angazhimin tonë të përbashkët ditëve dhe javëve në vijim edhe jashtë strukturës së PDK-së, në diskutime të hapura me qytetarët e vendit.”, tha Krasniqi.

Po ashtu, PDK-ja së shpejti do të nisë platformën e re politike ”Dialog me Kosovën”.

“Në mënyrë që alternativat tona qeverisëse të jenë jo vetëm manifestim i kompetencës, dijes dhe vullnetit politik, por të jenë po ashtu gjithëpërfshirëse, të hapura e në përputhje me pritjet e qytetarëve, si Kryetar i PDK-së dhe si Udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, në ditët e ardhshme do të jemi së bashku me ju në çdo qytet e fshat, çdo lagje e vendbanim anekënd vendit, për të bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë shpirt vizionit tonë të përbashkët për Kosovën. Andaj, shumë shpejt do ta nisim një diskutim të hapur me të gjithë, përmes platformës sonë “Dialog me Kosovën”, sepse, më shumë se ckado tjetër, sot kemi nevojë për të dëgjuar njëri tjetrin e për të zbatuar në praktikë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vendit tonë.”, tha ndër të tjerash Krasniqi.

Ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve në këtë rrugëtim të ri të PDK-së, për t’ia rikthyer perspektivën Kosovës.

“Edhe Projektin Kombëtar të Lirisë dhe Pavarësisë e kemi arritur së bashku, dhe së bashku mund t’ia rikthejmë perspektivën Kosovës dhe shpresën qytetarëve tanë. Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë tek gjithsecili qytetar. Prandaj, për ta bërë këtë rrugëtim të mbarë e përmbajtësor, na duhet mbështetja dhe zëri i gjithsecilit.”, tha ai.

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës(PDK)

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika