Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, të enjten ka qenë duke përcjellë ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në letërsi, çmim të cilin e fitoi shkrimtarja franceze, Annie Ernaux.
Kadare është pyetur nëse ishte zhgënjyer që përsëri nuk kishte mundur të fitonte këtë çmim, por ai tha se nuk kishte asnjë lloj përjetimi.
“Siç e shikoni nuk kam ndonjë përjetim. 40 vjet më parë edhe mund të kisha”, ka thënë Kadare.
Ai ka qenë i ulur në një nga lokalet në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë me bashkëshorten dhe miqtë e tij.

Ndërsa, bashkëshortja e tij, Helena Kadare është shprehur se shkrimtaren që e ka fituar Nobelin nuk e njohin, madje nuk e kanë dëgjuar emrin e saj edhe pse prej shumë vitesh jetojnë në Francë.
Ndërkaq, sipas saj, mendimi për të fituar Kadare çmimin Nobel në letërsi, nuk mund të ndryshohej kur është e njëjta juri, e cila ka thënë jo për 40 vjet.
“Nuk e njohim shkrimtaren që fitoi Nobelin, edhe pse jetojmë në Francë. S’e kam dëgjuar kurrë, për të njohur jo se jo, por nuk e kam dëgjuar as si emër. Derisa në Nobel është e njëjta juri dhe ka thënë jo 40 vjet, nuk ke pse ta ndryshosh mendimin”, është shprehur shkrimtarja Helena Kadare, raporton EN.

Pra, çmimi Nobel në letërsi i është dhënë shkrimtares 82 vjeçare, Annie Ernaux, “për guximin dhe mprehtësinë klinike me të cilën ajo zbulon rrënjët, largimet dhe kufizimet kolektive të kujtesës personale”.
Ernaux, e cila shkruan romane për jetën e përditshme në Francë, si dhe letërsisë së bazuar, në fakt, ka qenë ndër favoritët për të fituar çmimin.