Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Prokuroria të ftoj për dëshmi deputeten e AAK-së Time Kadrijaj, e cila deklaroi se Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur nga dikush.
“Ke premtuar që keni me e zbardh rastin e Astrit Deharit, pse nuk e keni zbardhur, i keni zhduk dhe i keni vjedh mostrat, e keni djeg Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha deputetja Time Kadrijaj në seancë.
Lidhur me këtë deklaratë, Haxhiu i bëri thirrje prokurorisë që deputetes Kadrijaj t’i merret dëshmia.
“Deputetja Time Kadrijaj pak më herët tha se e keni djegur Institutin e Mjekësisë ligjore. I bëjë thirrje Prokurorisë që menjëherë dhe pa vonesa ta ftoj për të dhënë dëshminë deputetja Kadrijaj për të treguar se kush e paska djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore sepse ekspertët e zjarrit po thonë që ka qenë defekt elektrik në pajisje, e deputetja po thotë që e kanë djegur”, tha Haxhiu.
Ministrja Haxhiu i është kundërpërgjigjur dhe deputetit të PDK-së Abelard Tahiri, i cili gjatë seancës drejtoj disa akuza ndaj qeverisjes Kurti.
“Sa i përket Tahirit, ti ke qenë ministër 2017-2020, a mund të thuash se për çka mbahesh mend ti. Ti, Ablerad Tahiri mbahesh mend për banerin “Drejtësia 2020”, ti mbahesh mend për gjitha proceset komprometuese që kanë ndodhur në ministri sa ke qenë ti, punësimet partiake në MD, për abuzimet që i ke bërë me të gjitha agjencitë që ke pasur në vartësi. Do të mbahesh mend për pengesat që ja ke bërë reformës në drejtësi”, tha Haxhiu./EO