Të lehurat e tyre nisin që nga momenti kur i dëgjojnë hapat e pronarit në drejtim të tyre.
Por sado e frikshme mund të duket për dikë, strehimin e mbi 50 qenëve të adoptuar Ardi Salihi e bën të duket si puna më e natyrshme në botë.
Tradita mbi 12 vjeçare e familjes për kujdesin e tyre, u shënua me krijimin e një strehimoreje pasi adoptoi mbi 50 qenë, pas iniciativës së komunës së Prishtinës për ta lehtësuar procesin.
“Dashnia për qentë është qysh i vogël e tash po iu ndihmojë direkt me këtë strehimore. Ideja erdhi duke parë se në Kosovë njerëzit s’është se merren me ta, kam parë maltretime dhe me investime të mija, vendosa ta hap”, ka theksuar Ardi Salihi, pronar i strehimores “Ardi’s animals”.
Pavarësisht pasionit të madh, në punën e tij Salihi thotë se nuk ishte vetëm.
“Zgjohem në 7 të mëngjesin, vi e pastrojë çdo ditë e bëjmë pastrimin. Ushqimin e kanë dy herë në ditë dhe ujin e pastërt nonstop. Nuk është problem hiç sepse komuna na e mundëson vaksimin dhe kontrollat e tyre pa pagesë. Qendra për Strehimin e tyre janë duke bërë punë të mire dhe nuk pritojnë kurrë”, ka theksuar ai.
Strehimoren e ka hapur tash e gjashtë muaj e rastin më të vështirë, konsideron se e pati dje.
“Rastin më të vështirë e patëm dje. Shpëtuam tetë këlyshë nga rruga, iu kishte ngordhur nana. Disa qytetarë na thirrën dhe shkuam në vendin e ngjarjes, i morrëm. Kam shumë mesazhe pozitive e thirrje nonstop për t’i shpëtuar ata”, ka deklaruar Salihi.
Emrat e tyre janë nga karaktere vizatimore e deri tek profesionet fisnike e kjo thotë se është dëshmi e afërsisë së tij me kafshët.
Se kjo punë e Salihut bëhet me zemër e thonë edhe familjarë të tij që për ndihmën, falenderojnë komunën.
“E kemi bërë me mjete vetanake por pas iniciativës së Komunës së Prishtinës, neve na ka ndihmuar dhe na e ka bërë më të lehtë trajtimin e qenëve endacakë. Është më e rëndësishme sepse në Kosovë është problem i madh me u merr me ta. Po ka sulme shumë ndaj njerëzve dhe është mirë që jetën na e bënë më të lehtë”, ka theksuar Andi Salihi, vëllau i pronarit.
Qendra për trajtimin e Qenëve endacakë është hapur në shtator të vitit që lamë pas ndërsa Komuna e Prishtinës, parasheh subvencionimin prej 50 euro në muaj për qytetarët që adoptojnë qen endacak.
Nga këta të fundit, vitin e kaluar 112 persona kërkuan trajtim mjekësor shkaku i kafshimeve nga qentë.