Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, gjatë një konference për media në Tiranë së bashku me kryeministrin Edi Rama, ka theksuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të ecin përpara drejt BE-së pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
“Ajo që është e rëndësishme është në lidhje me Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve”, u shpreh Kallas, duke theksuar se kjo është një pikë kyçe në rrugën drejt integrimit evropian.
“E ardhmja e Shqipërisë është në BE, dhe unë me kënaqësi kam parë nënshkrimin e kësaj marrëveshjes 90 milionë euro me Bankën e evropiane të investimeve për të rindërtuar hekurudhën ndërmjet portit të Durrësit .. si pjesë e korridorit të tetë. Ky projekt do të sjellë më shumë tregti, vende të reja punë, do ta lidh Shqipërinë me fqinjët e saj por edhe me BE-në. Gjithashtu do të jetë edhe një korridor i duhur, ndërmjet shteteve anëtare dhe NATO-s për sa i përket mobilitetit ushtarak ne Evropën Juglindore, dhe kjo është shumë e rëndësishme për momentin në këtë mjedis kur flasim për sigurinë”, ka deklaruar mes tjerash ajo.
Ajo gjithashtu tha se vlerëson këshillat dhe komentet e dhëna nga kryeministri Rama për situatën në Ballkanin Perëndimor, ndërsa njoftoi se pas vizitës në Tiranë do të udhëtojë drejt Bosnje dhe Hercegovinës për të zhvilluar takime me të gjitha palët atje, me qëllim qetësimin e tensioneve.