Njohësi i çështjeve politike, Belgzim Kamberi, ka vlerësuar se në garën për zgjedhjet e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kandidatin e saj Lumir Abdixhiku dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me kandidatin e saj Bedri Hamza janë alternativat më të fokusuara në nevojat dhe problemet aktuale të Kosovës.
Në Debat Plus Kamberi ka thënë se këta dy kandidatë nuk kanë shërbyer më parë si kryeministra, por po prezantojnë programe që, sipas tij, reflektojnë një lloj koherence dhe janë më të lidhura me çështjet që shqetësojnë qytetarët.
“Dy kandidatët të cilët po flasin për nevojat e qytetarëve edhe për problemet e Kosovës aktualisht për mua janë Lumir Abdixhiku dhe Bedri Hamza”, ka thënë Kamberi.
“Kemi të bëjmë me dy kandidatë që s’kanë qenë kurrë kryeministër, dy që kanë qenë dhe një e kemi që është kryeministri në fuqi. E para që është me rëndësi është që edhe në këtë fushatë kryeministri në fuqi nuk po fletë për çka ka bërë apo çka nuk ka bërë…ma shumë po na tregon që s’bën opozita se çka ka me bërë ai”.
“Nëse janë dy kandidat të cilët po përpiqen me fol mbi nevojat qysh e shohin ata Kosovën edhe çka kanë me bë, unë po e shoh Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, nuk e kisha përjashtua edhe një program të AAK-së që e ka qit, por dy programet të vetmet që po i shoh që e kanë një lloj koherence edhe me problemet janë të LDK-së dhe PDK-së”, ka shtuar Kamberi.