Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së partisë Socialiste, Snezhana Paunoviq, e cila kërkoi që Kamberi të arrestohej.
Ajo në kuvendin e Serbisë kishte deklaruar “nëse kemi gabuar me lirimin e Albin Kurtit nga burgu, mos të gabojmë me mosarrestimin e Shaip Kamberit”.
Sipas deputetes Paunoviq, nëse arrestimi i tij nuk është i mundur, atëherë ta shpërngulin nga Serbia.
Ndërsa sipas Kamberit, ajo kishte kërkuar arrestimin e tij pasi gjatë një fjalimi të tij rreth Kosovës, ai kishte theksuar domosdoshmërinë e udhëheqjes së politikës me ambicie realiste.
“Kishte propozuar arrestimin tim sepse një ditë më parë, gjatë fjalimit tim rreth Kosovës, kisha theksuar domosdoshmërinë e udhëheqjes së politikës me ambicie realiste”, ka shkruar Kamberi.
Kamberi ka shtuar se “Zonja Paunoviq kërkon të arrestohet deputeti i cili në seancën parlamentare, duke shfrytëzuar lirinë e mendimit dhe shprehjes – liri kjo e ‘garantuar’ me Ligjin për Kuvendin – rreth një pike të rendit të ditës, duke kërkuar udhëheqjen e politikës së ballafaqimit me realitetin”.
Sipas tij, Serbia i cilëson si tradhtarë apo armiq ata që flasin hapur se cili është realiteti i Kosovës.
“Kur është në pyetje Kosova, inkuizicioni në Serbi që moti ka marrë hov, duke i cilësuar tradhtarë apo armiq të Serbisë, ata që hapur flasin cili është realiteti rreth Kosovës”.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë potencoi se ky inkuzicion është bërë edhe parlamentar, dhe nëse flet të vërtetën të kërcënojnë të djegin në turrën e drurëve.
“Po fole të vërtetën të kërcënojnë se do të djegin në turrën e drurëve. Kjo është ajo që ka ka kërkuar deputetja Paunoviq – nënkryetare e parlamentit” ka thënë Kamberi.
Kamberi ka përfunduar njoftimin e tij, duke shkruar “Me apo pa mua ‘toka do të vazhdojë të rrotullohet’. Me apo pa mua, Kosova do të mbetet e pavarur”.